Lidhje

Mot i acartë në verilindje të Shteteve të Bashkuara


40 milionë njerëz në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara po përgatiten për atë që parashikuesit e motit e quajnë “cikloni bombë” – një stuhi masive dimërore që po lëviz mbi Oqeanin Atlantik. Parashikuesit e krahasojnë stuhinë me një bombë për shkak të rënies së shpejtë të presionit atmosferik në vetëm 24 orë, duke krijuar erëra të jashtëzakonshme.

Stuhia e parë e madhe e vitit 2018 mbërriti sot në verilindje të Shteteve të Bashkuara, duke mbyllur shkollat dhe zyrat qeveritare dhe duke anuluar fluturimet ndërsa ekipet e punës mundohen të pastrojnë rrugët para se temperaturat e ulta ta kthejnë atë në akull. Stuhia pritet të prekë ndjeshëm pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara duke sjellë ndoshta më shumë se 20 centimetra dëborë në Boston, ku shkollat sot janë të mbyllura.

“Vëmendja jonë kryesore do të jetë pastrimi i trotuarëve dhe rrugëve kryesore si dhe përgjigja ndaj sigurisë publike. T’u përgjigjemi njerëzve që telefonojnë dhe ndërsa kjo stuhi vazhdon, u kërkoj njerëzve të jenë të duruar”, tha Marty Walsh, kryetar i bashkisë së Bostonit.

Temperaturat e ulta që kanë mbërthyer tashmë një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara do të ulen edhe më tej nga stuhia që pritet të sjellë erëra me fuqinë e uraganëve në brigjet verilindore të Shteteve të Bashkuara deri në Kanada.

Ndërkohë moti brutal solli dëborë, akull dhe temperatura nën zero në ato pjesë të vendit që nuk janë mësuar me kushte të tilla atmosferike.

Dje, dëbora mbuloi rrugët në Tallahasi të Floridas për herë të parë në gati 30 vjet. Akulli i ktheu autostradat në Xhorxhia dhe dy Karolinat në fusha të rrezikshme patinazhi.

Ata që nuk dëgjuan paralajmërimet për të qëndruar në shtëpi e gjetën veten të bllokuar në një trafik prej 97 kilometrash në autostradën 95 në bregun lindor. Punonjësit e emergjencës, pa eksperiencë për kushte të tilla moti, nuk e përballuan dot numrin e shumtë të aksidenteve.

Në zonat veriore temperatura më e lartë në International Falls në Minesota dje ishte minus 19 gradë Celsius.

Parashikuesit e motit thonë se pjesa më e madhe e vendit do të preket nga kjo stuhi më vonë këtë javë para se temperaturat t’i kthehen normalitetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG