Lidhje

ShBA, zgjedhjet dhe karvani i emigrantëve


Me synimin për ta përqendruar vemendjen e votuesve tek emigracioni në prag të zgjedhjeve për Kongresin, Presidenti Donald Trump i shkallëzoi të hënën kërcënimet ndaj një karvani emigrantësh që po përparon ngadalë drejt kufirit amerikan me Meksikën, ndërkohë që Pentagoni përgatitet të dërgojë mijëra trupa për të mbështetur patrullimin kufitar.

Presidenti Trump shkruante në Twitter: “Ky është një pushtim i vendit tonë dhe ushtria jonë po ju pret!''

Paralajmërimi i tij vjen pas masave të Pentagonit për të ekzektuar një mision mbështetës të quajtur Operacioni "Patrioti Besnik", me synimin për të siguruar ndihmë ushtarake të kërkuar nga Patrullimi Doganor dhe Kufitar.

Dy zyrtarë amerikanë thanë me kusht anonimiteti se numri i përgjithshëm i trupave ka të ngjarë të jetë diçka më shumë se 5,000.

Dogana dhe Patrulla e Kufirit po kërkojnë një shtim të personelit në përgjigje të karvanit të emigrantëve nga Amerika Qendrore, i cili është ende qindra kilometra nga kufiri i SHBA, thanë tre zyrtarë të administratës. Trupat ushtarake kanë për qëllim të ndihmojnë patrullimin kufitar, por jo të angazhohen drejtpërdrejt me emigrantët, thanë disa zyrtarë.

Shtëpia e Bardhë po shqyrton edhe masa shtesë të sigurisë kufitare, duke përfshirë moslejimin e atyre që udhëtojnë në karvanë të kërkojnë strehim ligjor dhe pengimin e tyre për të hyrë në SHBA.

Shkallëzimi i retorikës dhe mobilizimi i pritshëm i trupave vijnë ndërkohë që presidenti po përpiqet ta kthejë karvanin në një çështje kyçe të zgjedhjeve të mesmandatit që mbahen në fillim të nëntorit.

Këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse republikanët do ta ruajnë kontrollin e Kongresit.

“Këto do të jenë zgjedhje me temë karvanët, Kavanaugh, ligjin dhe rendin, shkurtimet e taksave, dhe e dini çfarë tjetër? Do të jenë zgjedhje me temë logjikën,” tha Presidenti Trump në një tubim në shtetin Illinois të shtunën mbrëma.

Ai i vazhdoi kërcënimet e tij të hënën, duke komentuar, pa dhënë prova, se: "Shumë anëtarë bandash dhe disa njerëz shumë të këqij janë përzierë me karvanin që udhëton drejt kufirit tonë jugor.”

“Kthehuni, ju lutem. Ju nuk do të pranoheni në Shtetet e Bashkuara nëse nuk kaloni nëpër procesin ligjor. Ky është një pushtim i vendit tonë dhe ushtria jonë po ju pret!'' shkruante Presidenti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG