Lidhje

SHBA: Anketat më të fundit, gara presidenciale forcohet


Quinnipiac University Poll dated July 11, 2012
Quinnipiac University Poll dated July 11, 2012
Anketat më të fundit të opinionit publik në Shtetet e Bashkuara tregojnë se gara presidenciale e këtij viti është shumë e ngushtë mes Presidentit Barack Obama dhe rivalit të tij republikan, ish guvernatorit të shtetit Massachusetts, Mitt Romney. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

Një anketë e re opinioni e zhvilluar nga Universiteti Quinnipiac i jep Presidentit një përparësi të vogël përkundrejt Mitt Romney-it, 46 me 43 për qind. Dhe kjo anketë zhvillohet pak pas anketës së re të gazetës Washington Post dhe rrjetit televiziv ABC, sipas së cilës të dy kandidatët gëzojnë mbështetje të barabartë prej 47 për qind.
Zoti Romney u prit me reagime të ndryshme gjatë një fjalimi që mbajti të mërkurën para një prej organizatave kryesore afrikano-amerikane të të drejtave civile, Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë.

Zoti Romney i tha audiences në Hjuston se ai është një zgjedhje më e mirë se sa Presidenti Obama për të përmirësuar gjendjen ekonomike të vendit dhe për të ulur nivelin e papunësisë mes afrikano-amerikanëve, e cila është 14.4 përqind, shumë më e lartë se sa mesatarja e vendit prej 8.2 përqind.

Por zoti Romney u prit me një reagim negative kur u zotua se do të punojë për eliminimin e planit të presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.

“Dhe për t’ia arritur kësaj, unë do të eliminoj çdo program të shtrenjtë jo të domosdoshëm, duke përfshirë edhe programin shëndetësor të presidentit Obama, madje do të punoj për reformimin dhe kursimin".

Zoti Romney u përball herë herë me një reagim negativ, ndërsa gjatë pjesës më të madhe të fjalimin audienca nuk reagonte fare, megjithatë ai u prit me duartrokitje kur përsëriti qëndrimin e tij kundër martesës mes homoseksualëve, diçka kjo që kundërshtohet edhe nga shumë votues afrikano-amerikanë.

“Si president, unë do të promovoj familjet e forta dhe do të mbroj martesën tradicionale".

Ndërsa kanë mbetur më pak se 4 muaj nga dita e zgjedhjeve të 6 nëntorit, të dy kandidatët po shtojnë aktivitetet e fushatës, veçanërisht në një numër shtetesh, që pritet të përcaktojnë rezultatin.

Presidenti Obama u tha votuesve në shtetin Iowa këtë javë se republikanët ankohen rreth punës së tij, por ndërkohë ofrojnë fare pak për sa i përket planeve specifike për të zgjidhur problemet ekonomike të vendit si papunësia, zhvillimi ekonomik dhe deficiti.

“Plani i tyre nuk është një plan që do të sillte zhvillim ekonomik, një plan që do të sillte përfitime për klasën e mesme. Republikanët nuk e kanë një plan të tillë, unë e kam një plan të tillë.”

Sipas anketës më të fundit të Universitetit Quinnipiac, presidenti Obama gëzon një mbështetje pak më të madhe se sa rivali i tij, megjithë faktin se shumica e të pyeturve nuk miratojnë mënyrën se si presidenti po e trajton ekonominë.
Peter Brown punon në Institutin e Anketime të Universitetit Quinnipiac.

“Në këtë rast presidenti ka një epërsi të vogël, paksa jashtë gabimit të lejuar. Natyrisht që presidenti preferon të ketë mbështetje më të madhe, por fakti është se zgjedhjet e këtij viti janë shumë të forta”.

Zoti Brown thotë gjithashtu se përpjekjet e fushatës së presidentit Obama për të shpenzuar miliona dollarë për reklama televizive kundër Mitt Romney-it në shtetet vendimtare mund të kenë një farë rezultati.

“Amerikanët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, kanë një ide të qartë rreth presidentit, ata ose e mbështesin atë ose e kundërshtojnë. Në rastin e zotit Romney kjo është më pak e qartë dhe ajo që po ndodh tani është një garë për të përcaktuar para votuesve amerikanë se cili është Mitt Romney dhe fushata që do të bëjë një punë më të mire në këtë drejtim do të fitojë edhe zgjedhjet e nëntorit”.

Zoti Brown thotë se ekonomia amerikane vazhdon të jetë çështja kryesore e fushatës së këtij viti, madje votuesit e pyetur në anketën më të fundit janë gati të ndarë në opinionin e tyre se cili kandidat do të bëjë një punë më të mirë për rigjallërimin e ekonomisë.
XS
SM
MD
LG