Lidhje

SHBA: Gara presidenciale zhvillohet e ngushtë


Anketimet më të fundit tregojnë se zgjedhjet presidenciale të këtij viti mes Presidentit Barak Obama dhe rivalit të tij republikan, ish-guvernatorit të Masaçusecit, Mit Romni, mund të mbërthehen në një garë tepër të ngushtë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone i hedh një vështrim strategjive të të dyja fushatave nga Washingtoni:

Disa anketime të kohëve të fundit tregojnë se mbështetja për kandidatët Obama dhe Romni është në disa raste e njëjtë, ose në disa raste presidenti ka një avantazh të vogël ndaj rivalit të tij. Kështu për shembull, një anketë e organizatës Gallup tregon se si zoti Obama, edhe zoti Romni, gëzojnë mbështetje të njëjtë, prej 46 për qind secili.
Anketimet po ashtu tregojnë se ekonomia do të jetë çështja më e rëndësishme në fushatën e këtij viti dhe kjo do të thotë se presidentit Obama do t’i duhet të shpenzojë mjaft kohë duke mbrojtur punën e tij 4-vjeçare. Ken Duberstein ka qenë shef i personelit për Presidentin Ronald Regan në vitet 1980.

“Një president në detyrë gjithmonë ka një avantazh. Por në rastin e Barak Obamës, ai përballet me faktin që ekonomia nuk ka qenë e fortë. Populli amerikan thuajse gjithmonë voton bazuar tek gjendja ekonomike. Në se do të isha i angazhuar me fushatën e zotit Obama, do të lutesha që të kishim lajme më të mira për ekonominë

Demokratët janë plotësisht të ndërgjegjshëm për pakënaqësinë e njerëzve lidhur me ekonominë. Një nga strategjitë kryesore të fushatës së zotit Obama është që t’i bëjnë zgjedhjet jo thjesht një referendum për tre vitet e para në post të presidentit, por një zgjedhje mes perspektivës që ai ofron për vendin dhe asaj të ofruar nga zoti Romni. Ky i fundit është zotuar ta shfuqizojë ligjin e reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shëndetësor të presidentit dhe për pakësimin e pushtetit të qeverisë federale.
Vizionet e ndryshme të kandidatëve lidhur me përmasat e qeverisë pritet të jenë në qendër të debatit të zgjedhjeve këtë vit, thotë analisti politik Rhodes Cook.

“Njerëzit kanë një zgjedhje të vërtetë në këto votime, si edhe në ato më të fundit. Nuk kemi të bëjmë vetëm me rëndësinë e zgjedhjes së njeriut që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Por kemi të bëjmë me ndryshimin e madh mes dy personave përsa i përket filozofisë së qeverisjes që do të ketë vendi.

Fushata e zotit Romni pritet të përqëndrohet tek trajtimi i ekonomisë nga administrata Obama, si dhe të theksojë përvojën e zotit Romni në fushën e biznesit.
Përkrahësit e presidentit do të theksojnë disa përmirësime në ekonominë amerikane, si një fakt se administrata aktuale e ka futur vendin në rrugë të drejtë. Ata po ashtu do të përpiqen ta paraqesin guvernatorin Romni si një person që dëshiron të kthejë politikat ekonomike republikane, të cilat e çuan vendin në gjendjen ekonomike jo të favorshme që është sot.

Anketuesi i firmës Gallup Frank Newport parashikon një rezultat të ngushtë në zgjedhjet e nëntorit. Ai thotë se presidenti parapëlqehet më tepër në garën me zotin Romni, por shton se shumë votues vazhdojnë të kenë dyshime lidhur me aftësinë e tij në trajtimin e ekonomisë.

“Në këtë garë të ngushtë, merr rëndësi të veçantë lidhja me elektoratin. Presidenti Obama ka cilësitë e veçanta për të krijuar lidhje me njerëzit, ndëra zoti Romni shihet si një person i ftohtë, që bën më tepër llogaritje. Por fushata e zotit Romni do ta shfrytëzojë këtë veçori të tij, për të thenë se ai vërtet nuk është miku juaj i ngushtë, i preferuar, por se ai është një menaxher i zoti për ekonominë, i cili do të kishte edhe një qeveri të efektshme.”

Katër vjet më parë, zoti Obama e mundi kandidatin republikan John McCain me një shumicë të konsiderueshme votash popullore si me vota të Kolegjit Elektoral, që përcaktojnë fituesin e garës presidenciale. Këtë vit ekspertët parashikojnë një garë shumë më të ngushtë se ato të viteve 2000 dhe 2004.
XS
SM
MD
LG