Lidhje

Shërbimi Sekret amerikan dhe skandali me prostitutat në Kolumbi


Drejtori Sullivan: Kjo sjellje nuk është në kulturën e agjencisë dhe as e përhapur gjerësisht

Drejtori i Shërbimit Sekret Amerikan thotë se ai beson se skandali i muajit të kaluar në Kolumbi i agjentëve me prostitutat vendase, nuk përfaqëson shumicën e rreth 7 mijë punonjësve të agjencisë së tij.

Drejtori Mark Sullivan u tha ligjvenësve të mërkurën se ndonëse sjellja për të cilën akuzohen disa agjentë ishte “e rrezikshme”, ai beson se ngjarja ka të bëjë me disa individë që “bënë veprime plotësisht të papërgjegjshme” . Sipas hetimeve të brendshme, tha ai, kjo sjellje nuk është në kulturën e agjencisë dhe as e përhapur gjerësisht.

Drejtori Sullivan i bëri këto komente para një komisioni të Senatit ku ishte thirrur për të dëshmuar së bashku me Inspektorin e Përgjithshëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare Charles Edwards, zyra e të cilit është përgjegjëse për të kryer hetimet.

Po dënohemi për një sjellje që Shërbimi Sekret e ka toleruar prej kohe...
Agjent i pushuar nga puna...

Para dëshmisë, sipas gazetës Washington Post, burime anonime që i njihnin agjentët e akuzuar dhe në dijeni të hetimeve, kanë thënë se të paktën 4 prej të akuzuarve kanë vendosur ta kundërshtojnë pushimin nga puna, duke thënë se ata po dënohen duke u sakrifikuar për një sjellje që Shërbimi Sekret e ka toleruar prej kohe.

I pyetur rreth artikullit të gazetës, drejtori Sullivan tha se ai do t’i bënte thirrje kujdo që ka informacion shtesë t’ua japë atë autoriteteve. Megjithatë, ai këmbënguli që çdo akuzë, se qëndrime të tilla lejoheshin ose autorizoheshin, është absurde.

Tetë nga 13 agjentët e akuzuar janë pushuar nga puna pasi dyshohet se kanë marrë prostituta në dhomat e tyre në hotelin në Kartagjenë, ku kishin shkuar disa ditë para mbërritjes së Presidentit Obama për takimin e vendeve të Amerikës.
XS
SM
MD
LG