Lidhje

Matja e urisë në botë, proces i ndërlikuar


Matja e shkallës së urisë në botë është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar. Shpesh zyrtarët dhe politikanët nuk kanë në dispozicion informacionin më të fundit. Tani, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë shpreson ta ndryshojë këtë aspekt nëpërmjet një projekti të quajtur Zërat e Urisë. Joe De Capua i Zërit të Amerikës njofton.

Kjo agjenci e OKB-së kërkon të dëgjojë nga vetë popullata dhe jo vetëm të vlerësojë statistika, studime dhe raporte të ndryshme. Zyrtari i lartë në zyrën e statistikave të Agjencisë së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, Carlo Cafiero thotë se sistemi i tanishëm për matjen e furnizimeve ushqimore dhe urisë, megjithëse i rëndësishëm, është objekt vonesash të mëdha.

“Nga momenti kur statistikat mblidhen deri në momentin kur ato na kalohen neve, mund të duhen 2 deri 3 vjet dhe kjo nëse ne kemi informacionin aktual sepse studimet mbi konsumin ushqimor nuk janë pjesë e rregullt e studimeve vjetore, as edhe në vendet e zhvilluara”.

Studimet rreth konsumit ushqimor në përgjithësi zhvillohen çdo 5 vjet.

“Ne nuk kemi një puls të situates së tanishme dhe kjo u duk qartë gjatë krizës së çmimeve të ushqimeve”.

Në vitin 2007 shumë njerëz parashikuan një recesion ekonomik global dhe çmimet e ushqimeve filluan të ngrihen. Zoti Cafiero thotë se kjo çoi në atë që ai e quan një skenar shumë pesimist rreth konsumit ushqimor.

“Vetëm pas pak vjetësh ne mësuam se, për shembull, Kina, India dhe shumë vende të tjera në zhvillim nuk përjetuan ngadalsim të zhvillimit ekonomik. Skenari pesimist nuk ndodhi në çdo vend dhe pikërisht në këto vende parashikimi i bazuar në një model për të bërë një vlerësim të situatës aktuale provoi se ishte i gabuar”.

Projekti i ri Zërat e Urisë është përshkruar si i shpejtë dhe më i saktë. Ai do të përdorë anketa të individëve për të mbledhur informacion lidhur me nivelin e urisë. Anketat do të zhvillohen çdo vit në bashkëpunim me organizatën gjigande të anketimeve, Gallup.
Projekti do të provohet gjatë muajve të ardhshëm në Angolë, Etiopi, Malavi dhe në Niger.

“Do të zhvillohen anketime individuale, duke i kontaktuar njerzit me telefon ose drejtpërdrejt. Pra do të kemi një përfaqësim kombëtar të këtyre individëve, të cilët do të pyeten rreth përvojave të tyre. Dhe nga përgjigjet e tyre ne mund të përllogarisim nivelin e pasigurisë ushqimore, që ka ndikuar tek ata dhe familjet e tyre”.

Anketesit i pyesin këta individë rreth përvojave të tyre gjatë 12 muajve të fundit, si për shembull nëse u mbaruan ushqimet, apo nuk hëngrën një vakt të ditës apo një ditë të tërë. Gjithsejt atyre u bëhen 8 pyetje.

Zyrtari i Agjencisë së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, Carlo Cafiero thotë se anketimet nuk janë objektive dhe ato do të vlerësohen nga ekspertë. Duhen vetëm 3 muaj nga koha e anketimeve deri sa zyrtarët të marrin informacionin.

Projekti Zërat e Urisë do të zgjerohet për të përfshirë 160 mijë njerëz në 150 vende. Projekti 5-vjeçar do të rezultojë në një standard të ri të Agjencisë për Ushqimin dhe Bujqësinë lidhur me sigurinë ushqimore.
XS
SM
MD
LG