Rrjeti shqiptar “URAT” ka zgjedhur ditën ndërkombëtare kundër trafikimit për të nisur nga Shkodra fushatën ndërgjegjësuese kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Në mënyrë simbolike, përfaqësues të rrejtit “URAT”, ku grupohen më shumë se dhjetë shoqata joqeveritare, hapën në qendër të qytetit “Kutinë e dhuratave”, një instalacion brenda të cilit janë pasqyruar histori njerëzore të trafikimit. Përfaqësuesi i rrjetit “URAT”, Erion Prendi, tha se izolimi për shkak të pandemisë ka zbehur fushatën ndërgjegjësuese dhe masat antitrafik, duke shtuar edhe rastet e mundshme të trafikimit.
"Ka qenë shumë i vështirë identifikimi i rasteve të trafikimit sepse ka qenë një periudhë izolimi për të gjithë, por ka pasur një rritje të numrave, sidomos të fëmijëve, të cilët punonin ose dilnin për lypje. Nuk mund ta themi shumë qartë nëse ka qenë trafikim apo jo, por kjo hyn ndër pikat që trafikimi ka dhe që është shfrytëzimi", tha ai.
Për përfaqësuesen e organizatës “Nisma ARSIS”, Ana Majko, fëmijët, sidomos ato të komunitetit rom dhe egjyptian, vazhdojnë të jenë më të rrezikuarit për tu trafikuar.
"Në fakt, më të rrezikuar janë fëmijët, fëmijët e pashoqëruar ose që janë identifikuar në situatë rruge apo të shfrytëzuar nga persona të tjerë brenda rrethit familjar. Janë ata që janë më tepër në rrezik për shkak të moshës që kanë, por edhe për shkak se janë më të ndjeshëm dhe më të prekshëm nga fenomeni. Nuk kemi statistika zyrtare se sa është numri real i fëmijëve apo të rriturve të trafikuar, por ajo që mund të themi janë të gjitha mekanizmat e duhura për t’i trajtuar dhe shërbyer atyre", tha ajo.
Përfaqësuesi i rrjetit “URAT”, zoti Prendi, thotë se rrjetet kriminale të trafikut përdorin vijën kufitare për trafikimin e personave, si brenda territorit të Shqipërisë, ashtu edhe jashtë tij. Ndaj, një kontroll më i mirë në nivel rajonal i pikave të nxehta të kufirit mundëson parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
"Këto viktima kalojnë kufirin ose hyjnë, sepse nuk kemi vetëm dalje, por kemi edhe hyrje të përsonave të trafikuar. Shkodra është një zonë kufitare dhe kemi një kalim, sidomos të fëmijëve që shkojnë të lypin në zona të ndryshme siç kemi Kosovën apo Malin e Zi. Dhe këtë kalim ne e quajmë trafikim, sepse ata nuk kalojnë dot të vetëm, por është dikush që i dërgon, që i strehon dhe që i punëson", tha ai.
E pranishme në fushatën ndërgjegjësuese të rrjetit “URAT”, kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, tha se trafikimi mbetet ende një sfidë për institucionet, por edhe vetë komunitetet lokale.
"Pavarësisht punës së bërë deri tani, trafikimi i qenieve njerëzore mbetet sfidë e madhe dhe problematike në Shqipëri, por edhe në territorin e bashkisë tonë. Varfëria, mungesa e informacionit dhe e shpresës, pozicioni gjeografik si vend kufitar sjellin vazhdimisht në fokus nevojën për të koordinuar dhe konsoliduar më tej punën dhe veprimtarinë e institucioneve publike dhe jopublike", tha ajo.
Sipas zonjës Ademi, krijimi i strukturave dhe shërbimeve të specializuara antitrafik dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm të tyre, mbetet një sfidë në vazhdimësi për tu përballuar dhe zgjidhur në mënyrë reale.
Facebook Forum