Lidhje

Shkup, miratohen anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve


Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e miratoi përbërjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) me më tepër se dy të tretat e nevojshme të votave. 95 deputetë nga totali prej 120 deputetësh votuan për Komisionin, të cilin do ta drejtojë Aleksandar Dashtevski, i propozuar në këtë post nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Ai ka qenë anëtar i Komisionit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006.

KSHZ përbëhet nga të propozuarit e partive politike. Kryetari i takon opozitës maqedonase, ndërsa nënkryetari – partisë më të madhe shqiptare në pushtet. Ditmire Shehu nga Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon që nga mandati i kaluar ta ruajë postin e nënkryetares së Komisionit.

Boris Kondarko, Radica Risteska dhe Oliver Ristovski janë të propozuarit e Lidhjes Social Demokrate. Ndërkohë, një tjetër anëtar nga VMRO-ja është Boban Stojanovski, teksa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa përfaqësohen në këtë organ zgjedhor me Krenar Llogën. Zoti Lloga vjen në vend të anëtarit të deritanishëm të Lëvizjes Besa, së cilës nuk i takon më të ketë përfaqësuesin e saj në KSHZ, për shkak se ajo është në pushtet, në koalicion me LSDM-në.

Me këtë përzgjedhje, partitë politike heqin dorë nga symet dhe zotimet e pak viteve më parë për një Komision zgjedhor që do të përbëhej nga profesionistë dhe ekspertë nga jashtë politikës.

Debati në parlament kaloi pa shumë debate, ndërkohë që ligjvënësit e Aleancës dhe Alternativës bënë vërejtje për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve duke kërkuar një model që do të pasqyronte forcat politike në parlament dhe përfaqësuesit e tyre në KSHZ.

Kjo përbërje e Komisioni zgjedhor do të duhet t’i organizojë dhe zbatojë zgjedhjet e pritshme lokale që duhet të mbahen në vjeshtë. Ndërkohë, mandati i KSHZ-së aktuale skadon më 15 janar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG