Lidhje

Shkup, parlamenti debaton para miratimit të kabinetit qeveritar


Parlamenti i Maqedonisë së Veriut seancë për miratimin e qeverisë së re
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut çeli sot seancën për miratimin e kabinetit qeveritar të social-demokratit Zoran Zaev. Gjatë fjalimit para deputetëve, zoti Zaev theksoi prioritetet e veprimtarisë së kabinetit, siç janë lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, ballafaqimi me koronavirusin dhe investimet në fushën e shëndetësisë e fusha të tjera për të ngritur ekonominë dhe mirëqenien, si dhe synimet e integrimit në Bashkimin Evropian.

Opozita maqedonase parashikon që qeveria e re e zotit Zaev do të ketë mandatin më të shkurtër në historinë e këtij vendi. Ajo paralajmëron rrëzimin e qeverisë me anë të demonstratave.

Mandatari Zoran Zaev paralajmëroi një miliard euro investime të huaja për uljen e shkallës së papunësisë deri në fund të mandatit katërvjeçar; dhe angazhime, përkushtime e transparencë në më shumë fusha, por opozita maqedonase e vlerëson atë, kabinetin e tij dhe koalicionin qeverisës si mashtrues të popullit.

Zoti Zaev tha se “po vjen koha për drejtësi dhe disiplinë, për respektimin e sistemit gjyqësor dhe sundimit joselektiv të së drejtës”. Ai megjithatë nuk e quan veting atë që e ka paralajmëruar partneri shqiptar në qeverinë e pritshme, Bashkimi Demokratik për Integrim, por pastrim apo kontroll të burimit të pasurisë dhe pronës së gjykatësve nga Komisioni shtetëror për Luftën Kundër Korrupsionit.

Nga ana tjetër, qeveria e tij do të ketë një zëvendës-kryeministër të ngarkuar për luftën e korrupsionit, një post që do ta ushtrojë Sekretari i Përgjithshëm i siocial-demokratëve dhe kjo ka nxitur mjaft debate në publik për shkak se ky është një aktivitet që i përket komisionit anti-korrupsion.

Mandatari Zaev tha se epidemia e koronavirusit pritet të përkeqësohet në muajt e vjeshtës dhe prandaj do të përgatiten masa të reja ekonomike, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë protokollet e shëndetësisë. “33 milionë euro nga Banka Botërore do t’i përtërijnë pavijonet e shërbimit dhe kujdesit intensiv në vend”, njoftoi ai.

“Kjo do të jetë një qeveri e vogël dhe efikase e cila do të bëjë ritmin e transformimit së bashku me qytetarët”, u shpreh Zoran Zaev para ligjvënësve. Ai theksoi një sërë reformash në administratën shtetërore dhe në fusha të tjera, ndërsa ligjvënësit e shumicës e duartrokitën përfundimin e fjalimit, ata të opozitës e përcollën me thirrje dhe britma.

“Nëse anëtarët e kabinetit shkelin ligjet dhe normat etike, pres nga ata të dorëhiqen ose do të ketë shkarkime”, paralajmëroi kryeministri i ardhshëm.

Në kabinetin e qeverisë së zotit Zaev do të ketë Zëvendës-kryeministër të parë dhe ky post i është besuar Artan Grubit, i cili do të drejtojë edhe Ministrinë për Sistemin Politik. BDI-ja do të drejtojë edhe Ministrinë e Jashtme me Bujar Osmanin në krye të saj dhe atë të Financave të cilën do ta udhëheqë Fatmir Besimi. Po ashtu, BDI-ja ka dikasteret e Ekonomisë, të Ambientit Jetësor dhe Administratës Publike.

Nga zyrtarët e njohur të LSDM-së, Oliver Spasovski kthehet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Radmilla Sheqerinska mbetet në atë të Mbrojtjes, Nikolla Dimitrov merr Sekretariatin e Çështjeve Sociale.

Deputetët kanë të drejtë të debatojnë dy ditë në seancë. Kabineti qeveritar miratohet me shumicën prej 61 votash në parlamentin prej 120 vendesh. Shumica e re parlamentare e përbërë nga Lidhja Social Demokrate me Lëvizjen Besa dhe partitë e vogla, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, ka 62 ligjvënës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG