Ky do të jetë koalicioni i tretë qeverisës midis Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, pas qeverisë së përbashkët në periudhën 2002-2006 dhe 2016-2020 dhe megjithë përplasjet gjatë fushatës së fundit, dy partitë sërish do ta bashkëqeverisin vendin në një mandat eventualisht katërvjeçar.
Zotërinjtë Zaev dhe Ahmeti thanë se marrëveshja e fundit u arrit përmes një veprimi të guximshëm të të dyja palëve. BDI-ja mbetet vetëm me 100 ditë në fund të mandatit për ta marrë postin e kryeministrit, por nga ana tjetër pritet të drejtojë të paktën dy ministri të rëndësishme, atë të Punëve të Jashtme dhe Financat, sipas zyrtarëve të partisë shqiptare, ndërsa u konfirmua nga vetë zoti Zoran Zaev se zoti Talat Xhaferi sërish do të qëndrojë në krye të legjislativit.
Jozyrtarisht, BDI-ja do të marrë Ministrinë e Jashtme, të Financave, të Ekonomisë, të Sistemit Politik, të Ambientit Jetësor dhe atë të Shoqërisë Informatike, të cilat do të drejtohen nga Bujar Osmani, Fatmir Besimi, Kreshnik Bekteshi, Artan Grubi, i cili do të jetë dhe Kryeministri i parë, Naser Nuredini dhe Shirete Elezi.
Analisti Selim Ibrahimi thotë se qeveria e re do të ketë mjaft sfida përpara, siç është ballafaqimi me pandeminë e koronavirusit, rimëkëmbja e ekonomisë, shkalla e papunësisë dhe kriza të tjera politike, korrupsioni e raportet me fqinjët:
“Problem kryesor në Maqedoninë e Veriut mbetet kultura e mosndëshkimit dhe vazhdimi me të njëjtat politika të qeverisë së re sigurisht do të ketë pasoja për qeverinë Zaev-Ahmeti. Për t’i përmbushur detyrimet zgjedhore, qeverisë i duhet mbështetja edhe e opozitës, e cila tashmë ka kundërshtuar këtë përbërje qeveritare. Të gjitha dikasteret duhet të udhëhiqen nga njerëz të pakorruptuar dhe që gëzojnë reputacion tek elektorati”, thotë analisti.
I mandatuari për fomimin e qeverisë, Zaev theksoi dje mirënjohjen për siç u shpreh “madhështinë, durimin dhe mençurinë” e zotit Ahmeti për këtë marrëveshje. Ai bën të ditur se kabineti i ri nuk do të ketë më ministrat pa partofol përveç zëvendës-kryeministrave.
Zoran Zaev thotë se ka shumicën e nevojshme për të shfuqizuar qeverinë teknike të njohur si “e Përzhinës” që instalohet në 100 ditët para zgjedhjeve parlamentare, sepse ky model është vërtetuar se nuk është i dobishëm as për opozitën e as për proceset e përgjithshme.
Ndërkohë, VMRO-ja opozitare ka drejtuar kritika ndaj zotit Zaev dhe qeverisë të cilën do ta drejtojë ai, duke akuzuar LSDM-në se ka rritur borxhin publik për më tepër se një miliard euro vetëm për tre muaj. “Nuk ka as projekte kapitale, ndërsa qeveria vazhdon me borxhe të reja dhe për shkak të politikave të këqija, gjendja po përkeqësohet sepse as qeveria as LSDM nuk kanë plane për ballafaqimin me krizën”, sipas VMRO-DPMNE-së.
Dy partitë e koalicionit zgjedhor “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e quajnë qeverinë e pritshme një qeveri mashtruese dhe jolegjitime. Sepse të dyja palët i kanë mashtruar rëndë qytetarët”, sipas një komunikate të dy partive, që e cilësojnë BDI-në si grabitëse përmes forcës dhe manipulimeve të vullnetin politik të shqiptarëve. Opozita shqiptare thotë se BDI-ja shkeli premtimin për kryeministrin shqiptar, ndërsa LSDM-ja shkeli premtimin se në asnjë mënyrë do të bënte koalicion me BDI-në.
Lidhja Social Demokrate me katër deputetët e Lëvizjes Besa ka 46 vende dhe 15 deputetët e BDI-së përbëjnë shumicën e nevojshme prej 61 votash në parlament për ta miratuar kabinetin e ri qeveritar, ndërkohë që koalicionit i bashkohet edhe deputeti i vetëm i Partisë Demokratike Shqiptare.
LSDM-ja dhe BDI-ja duhet të vazhdojnë edhe realizimin e një sërë premtimesh që nga mandati i kaluar, siç është vetingu i politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve të larta, apo pastrimi, siç e quan z. Zaev i të korruptuarve në radhët e prokurorëve dhe gjykatësve, pastaj regjistrimi i popullsisë dhe reforma të tjera.
Facebook Forum