Lidhje

Shkupi dëbon një diplomat rus


Shkup, Maqedoni e Veriut
Shkup, Maqedoni e Veriut

Autoritetet maqedonase bënë të ditur sot (të martën) se kanë shpallur një diplomat rus për person të padëshiruar. Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup thotë se ka thirrur para katër ditësh ambasadorin e Federatës ruse, Sergej Bazdnikin për ta njoftuar me vendimin. Diplomati rus, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, duhet të largohet nga Maqedonia e Veriut brenda një afati prej shtatë ditësh.

Ministria e Jashtme nuk ka njoftuar publikisht arsyet për dëbimin, teksa njofton se mbështetet tek Konventa e Vjenës.

Një pjesë e medias në Shkup thotë se diplomati rus ka ushtruar aktivitete që nuk përputhen me sjelljen e një diplomati të huaj që vepron në vendin pritës. Njoftimin e konfirmoi edhe presidenti maqedonas Stevo Pendarovski duke thënë se ishte informuar për këtë dhe rasti “ishte dokumentuar mirë”.

Ambasada ruse i ka thënë një televizioni maqedonas se ka gjasa që Moska të veprojë mbi bazat e reciprocitetit.

Ky është rasti i dytë që Maqedonia e Veriut dëbon një diplomat rus. Hera e parë kishte të bënte me solidarizimin me Britaninë e Madhe lidhur me rastin "Skripal" në vitin 2018.

Po ashtu, Shkupi ka shprehur gatishmëri për t’iu bashkuar sanksioneve të ardhshme të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas konstatimeve të Brukselit se Moska po kryen shkelje të të drejtave të njeriut ndaj drejtuesit opozitar Alexey Navalny.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG