Lidhje

Shndërrimi i ujit të detit në karburant


Për shekuj me radhë, alkimistët janë përpjekur ta kthejnë plumbin në ar. Prej kohe, kjo përpjekje është provuar si e pamundur, por një tjetër ëndërr, kthimi i ujit në karburant, duket se është i mundur. Shkencëtarët e një Laboratori të Marinës Detare amerikane e provuan këtë duke ngritur në ajër një avion të vogël, i cili në vend të karburantit të zakonshëm përdor lëndën djegëse të prodhuar nga uji i detit.

Gazi natyror dhe llojet e tjera të karburanteve të lëngshme që përdoren në të gjitha llojet e motorëve me djegie të brendshme, janë një përzierje e elementeve kimike të hidrogjenit dhe karbonit, që vijnë kryesisht nga rezervat nëntokësore.

Por edhe oqeanet janë rezervuare të mëdha të hidrogjenit dhe dioksidit të karbonit, i cili shton nivelin e acidit në det.

Nxjerrja e këtyre kimikateve nga oqeani dhe konvertimi i tyre në një formë karburantesh të lëngshme është mundësuar nga disa përparime teknologjike të fundit, thotë studiuesja, Heather Willauer:

"Kemi arritur të dëshmojmë se në një laborator ne mund ta shndërrojmë dioksidin e karbonit dhe hidrogjenin në lëndë djegëse të lëngshme ".

Procesi kërkon shumë energji elektrike, e cila për të qenë më ekonomike duhet të vijë nga një burim me kosto të ulët, si një central bërthamor.

Natyrisht, vendi më i efektshëm për një proces të tillë do të ishte në bordin e një aeroplanmbajtëseje bërthamore. Zonja Willauer thotë se këto anije një ditë mund të prodhojnë karburant për avionët në bordin e tyre:

"Nga kjo mund të përfitojnë marina detare apo anijet komerciale sepse kur është nevoja karburanti mund të prodhohet aty ku nevojitet".

Karburanti i ri është testuar me sukses në një aeroplan me një motor. Tani për tani, prodhimi i tij kërkon dy herë më shumë energji se sa normalisht, por studiuesit shpresojnë ta ulin koston.

Dr. Willauer thotë se procesi i ri nuk do të rrisë sasinë e dioksidit të karbonit në atmosferë, që ndikon në ngrohjen globale.

"Pasi ta nxjerrim nga uji, oqeani e thith atë menjëherë nga atmosfera, sepse ky proces është në ekuilibër të vazhdueshëm", - thotë zonja Willauer.

Shkencëtarët shpresojnë se një uzinë e vogël në shkallë industriale mund të fillojë kthimin e ujit të detit në karburant brenda pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG