Lidhje

A mund të shërojë shoqëria civile përçarjet ?


Zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, nxorën në pah ndasi të thella në shoqërinë amerikane, të cilat shumë analistë thonë se rrezikojnë stabilitetin dhe të ardhmen demokratike të vendit. Disa organizata jofitimprurëse po nxisin tashmë aktivitete për të inkurajuar dialogun ndërmjet njerëzve me prejardhje dhe preferenca politike të ndryshme. Siç njofton nga Uashingtoni korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus, një projekt i tillë ka mbledhur njerëz me preferenca krejt të ndryshme për të ndihmuar së bashku personat në nevojë.

Përfaqësues të grupeve të ndryshme jofitimprurëse dhe fetare mbështesin “Lëvizjen për Një Amerikë” dhe drejtuesin e saj, Andrew Hanauer.

“Në këtë moment, vendi ynë është thellësisht i ndarë dhe rrezikohet ajo çfarë ne jemi si vend dhe si shoqëri”, thotë zoti Hanauer.

Ai thotë se njerëz të zemëruar nga të dyja kahet zakonisht nuk përpiqen të kuptojnë palën tjetër.

“Lëvizja për Një Amerikë” promovon projekte vullnetare për kauza me vlerë që mbledhin së bashku njerëz me pikëpamje të ndryshme politike dhe fetare. Një aktivitet i tillë ndodh të dielave në ndihmë të të pastrehëve.

“Kemi patur reagime shumë të mira nga njerëz që duan të angazhohen së toku për të ndihmuar komunitetin e tyre”, thotë zoti Hanauer.

Por, zoti Hanauer thotë se qëllimi nuk është për të zgjidhur të gjitha mospërputhjet.

“Nuk synojmë t’i bëjmë të gjithë bien dakort. Ne duam që njerëzit të fillojnë një dialog dhe edhe nëse nuk bien dakort, të kuptojnë perspektivën e tjetrit”, thotë zotit Hanauer.

Grupe të krishtera, hebraike dhe myslimane janë mbështetësit më të mëdhenj të këtyre përpjekjeve.

“Kur ndihmojmë njëri-tjetrin në fakt arrijmë pjesën më të mirë të humanizmit tonë”, thotë Ilhan Cagri, e Këshillit Mysliman për Marrëdhëniet Publike.

Por, këto grupe me qëllime pozitive, si “Lëvizja për Një Amerikë”, shpesh hasin me pengesën e zemërimit dhe fyerjes, të cilat dëmtojnë nxitjen e një dialogu qytetar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG