Lidhje

Shpërthim në Mitrovicë pa viktima në njerëz


Policia e Kosovës bëri të ditur se një mjet shpërthyes është hedhur në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve, një zonë me popullsi të përzier në veri të Mitrovicës.

Sulmi që kaloi pa pasoja në njerëz por me dëme materiale, ka ndodhur gjatë natës. Policia tha se po kryen hetime dhe ende nuk ka njohuri për autorët apo motivet e mundshme të këtij sulmi.

Veriu i Mitrovicës ishte skenë e incidenteve të dhunshme gjatë fushatës për zgjedhjet komunale të tre nëntorit por edhe në ditën e zgjedhjeve, kur grupe personash të maskuar ndërhynë në disa vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi anulimin e zgjedhjeve në veriun e Mitrovicës dhe caktoi 17 nëntorin datë të rivotimeve.

Përfshirja e komunave veriore me shumicë serbe në zgjedhjet komunale të Kosovës ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në muajin prill nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.

Pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që sipas marrëveshjes do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG