Në Shqipëri shkon në 51 numri i viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin, ndërsa të gjitha operacionet e shpëtim-kërkimit konsiderohen tanimë të mbyllura. Mbi 900 janë njerëzit e plagosur, nga të cilët deri paradite 41 ishin ende në spitale. Kryeministri Rama i bëri sot thirrje opozitës që të ulen se bashku e që qeveria të dëgjojë dhe propozimet e tyre për përballimin e situatës së rëndë të krijuar. Në mbrëmje takim me ambasadorët
Makinat e funeralit ishin në rresht sot në sheshin qëndror të Durrësit, në pritje për të përcjellë 8 anëtarët e familjes Lala, mes tyre katër fëmijë, të cilët mbetën nën rrënojat e banesës së tyre në zonën e ish Kënetës. Qytetarë të shumtë ishin mbledhur aty për t’i dhënë lamtumirën, atyre që në një farë mënyre, tragjikisht, u kthyen gati në simbol të tragjedisë që goditi vendin të në orët e para të mëngjesit të së martës, duke shkaktuar 51 të vdekur. Që prej ditës së sotme nuk kërkohet më për të humbur.
Durrësi ishte dhe qyteti që mori goditjen më të madhe, me disa pallate të shembura dhe dy hotele të rrëzuara në zonën e plazhit. Në total 26 jetë të humbura nën rrënoja. Thumana gjithashtu pësoi një goditje të rëndë, pasi dy pallate u rrafshuan, duke zënë nën vete 24 persona të tjerë. Në spitale përfunduan mbi 900 persona, me plagë nga më të ndryshmet. Sot një vajza e re u nda nga jeta pas tre ditësh në gjendje kome.
Qeveria vendosi sot që brenda mesit të muajit dhjetor familjet e viktimave të sistemohen në banesa të reja. Dy nga të mbijetuarit që humbën plotësisht familjet e tyre do të kenë trajtim të posaçëm shtetëror gjthë jetën, pensionistëve të familjeve të viktimave do u lidhet pension i posaçëm, ndërsa fëmijëve të këtyre familjeve do t’u jepet bursë mujore deri në përfundimin e shkollës apo studimeve
E ndërsa bilanci i hidhur i jetëve njerëzore të humbura duket se është përmbyllur, vendi do të duhet të përballet me pasojat e rënda materiale që ka lënë pas tërmeti. Të dhënat mbi dëmet ndryshojnë nga dita në ditë.
Kryeministri thirrje opozitës
Kryeministri Rama i bëri sot thirrje dhe opozitës që të ulen së bashku në tryezë e të dëgjojnë dhe propozimet e saj. “Në këto rrethana të jashtëzakonshme duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka e mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike”, shkroi zoti Rama në Twitter, ndërsa duke ju drejtuar direkt kryetarit demokrat Lulzim Basha, ai shtoi më tej se “duhet të ulemi për shqiptarët dhe t’u japim mesazhin e qetësisë, durimit, sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë”, nënvizoi zoti Rama.
Kryetari i opozitës nga ana e tij tha se “tani nuk është koha as për politikë, as për propagandë. Gjëja e vetme me të cilën po merremi ne, është të jemi afër njerëzve dhe kjo është ajo që duhet të bëjë çdokush tjetër”, deklaroi zoti Basha duke folur me gazetarët, ndërsa evitoi të jepte një vlerësim për mënyrën se si qeveria po e administron situatën e krijuar. “Ka një ditë, ka një kohë ku do merremi edhe me përgjegjësitë dhe me analizën se çfarë u bë, çfarë mund të bëhej më mirë dhe çfarë duhet bërë më mirë. Tani, fokusi ynë është si t’i ndihmojmë këta njerëz”. Megjithatë duke folur për gjendjen në disa zona të Durrësit të cilat ai sapo i kishte vizituar zoti Basha foli sot në mbrëmje për “një komunitet të madh, i cili është tërësisht i braktisur, pa asnjë vëmendje, pa asnjë mundësi për t’u strehuar. Pjesa tjetër që më shqetëson shumë është mungesa totale e një koordinimi për t'u dhënë strehë dhe për t’i pajisur me ushqime, me batanije. Duket qartë që ka një ç'organizim total, kaos total dhe, për fat të keq, këtë po e vuajnë banorët, të cilët, unë po u jap zë shqetësimeve që m’i thanë mua”.
Ndërsa ndihma dhe mbështetja ndaj banorëve mbetet një çështje emergjente, po kaq është dhe vlerësimi i dëmeve. Sipas të dhënave që ofroi sot në mëngjes kryeministri, “në Tiranë janë 1192 banesa individuale, të cilat kanë dëmtime serioze dhe në momentin që flasim kemi 265 pallate që kërkojnë një vlerësim. 8 shkolla numërohen të dëmtuara”. Të dhënat paraprake për Durrësin, por që I përkasin një dite më parë, bënin fjalë për 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalitsht dhe 176 pallate të dëmtuara. Shifra që megjithatë rëndohen me kalimin e ditëve, ndërkohë që harta e zonave të goditur, duket të jetë shumë më e madhe se sa ajo që u mendua fillimisht.
Rama takim me ambasadorët
Qeveria shqiptare ka kërkuar mbështetjen e Bashkimit Europian dhe shteteve të ndryshme me ekspertë për vlerësimin e dëmeve. Këtë çështje kryeministri e ngriti dhe në një takim që organizoi në mbrëmje me ambasadorët e shteteve të ndryshme dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që ndodhen në Tiranë. “Ajo me të cilën po përballemi tani është një problem mjaft i mprehtë tensioni dhe ç’ekulibiri psikologjik. Njerëzit janë të pasigurt, kanë frikë, kanë nevojë të shohin që gjërat po përmirësohen. Do të kenë durim nëse shohin se nuk jemi vetëm”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se “do të jetë thelbësore psikologjikisht që vlerësimi i ndërtesave të bëhet me 4 sy, dy sy shqiptarë e dy të miqve tanë, se ka të bëjë me besimin dhe garancinë. Ka ndërtesa që nuk kanë dëme strukturore, por kush ka besim të hyjë në një ndërtesë me fëmijët dhe të vjetrit, kur ka kaluar këtë lloj ankthi”.
Të gjithë rikonfimuan gatishmërinë e tyre për të ofruar mbështetje në shumë drejtime. Zëvendës ambasadorja amerikane Leyla Moses-Ones, u shpreh se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshmë të përgjigjen për çdo nevojë që mund të ketë në Shqipëri”. GJatë ditës ambasada amerikane njoftoi se “USAID ka nisur dje për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta”.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca vuri theksin te nevoja “për të kryer një vlerësim të nevojave pas fatkeqësisë që është baza e çdo organizmi për t’u angazhuar financiarisht. Kujtdo banke apo organizate që do doni t’I drejtoheni, do të kërkojë pikërisht këtë vlerësim u shpreh ai.
Më herët gjatë ditës Presidentja e zgjedhur e Komisionit europian Ursula von der Leyen, shkroi në Twitter se kishte biseduar me kryeministrin Rama “i cili më tregoi për situatën e vështirë pas tërmetit. Kam shumë respekt për popullin shqiptar i cili kanë qëndruar i qetë pavarësisht rrethanave. Dua që ata të dinë që BE është në anën e tyre me dhembshuri dhe me veprim”. Presidentja Von der Leyen njoftoi gjithashtu se të mërkurën Komisioneri për menaxhimin e krizave Janez Lenarçiç, do të jetë në Shqipëri. "I kam kërkuar të më mbajë të informuar për gjendjen”shkroi Von der Leyen. "BE-ja është e gatshme të japë ndihmë të mëtejshme”, shkruajti në Twitter më pas Komisioneri Lenarçiç, duke shtuar se “do të jem të mërkurën në Shqipëri për të marrë informacione të drejtëpërdrejta për nevojat më urgjente në zonat e goditura. Shqipëria nuk është vetëm në këto moment të vështira”.
Përveç Komisionerit Lenarçiç, pritet që Shqipërinë ta vizitojë dhe Komisioneri i ri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.
Facebook Forum