Lidhje

Shqipëri, dënim me burg mësuesit për ngacmim seksual të nxënëses


Gjykata e Gjirokastrës

Gjykata e Gjirokastrës dënoi me tre vjet e gjysëm burg një mësues që u gjet fajtor për veprën penale “ngacmim seksual” të një nxënëseje të tij. Neshat Tepelena u akuzua një vit më parë se ngacmoi seksualisht një nxënëse 11-vjeçare, në shkollën e një zone rurale të Delvinës. Familjarët e të miturës e denoncuan rastin duke deklaruar në prokurori se nga dëshmia e fëmijës, mësuesi e kishte mbajtur vajzën pas mësimit në klasën e shkollës dhe e kishte puthur në buzë.

Pas hetimeve dhe kërkesës së Prokurorisë për masën e arrestit me burg për mësuesin e dyshuar për "veprime të turpshme me të mitura”, Gjykata e Sarandës dha prillin e vitit te shkuar masën e arrestit në burg dhe shpalli “moskompetencë për gjykim”, pasi i mungonte seksioni për të miturit. Procesi në Gjykatën e Shkallës së parë u zhvendos në Gjirokastër dhe gjykimi në këtë shkallë përfundoi të premten kur gjykata e gjeti fajtor 60-vjeçarin. Ai pati deklaruar në sallën e gjyqit se është i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe në seancën e dhënies së vendimit nuk mori pjesë në proces.

Po në Gjykatën e Gjirokastrës, një tjetër proces gjyqësor është në ngarkim të një mësuesi në Tepelenë i cili akuzohet për “vepra të turpshme me të mitur”. Sipas vlerësimit të organizatave që merren me të drejtat e fëmijëve abuzimet, sulmet dhe ngacmimet seksuale ndaj nxënësve në shkolla janë dukuri mjaft shqetësuese në Shqipëri. Në shumicën e rasteve, sidomos në zonat e thella rurale, trajtimi i tyre përballet me mjaft sfida, si me botëkuptimin shoqëror, ashtu edhe me veprimin e strukturave përgjegjëse shtetërore të mbrojtjes së fëmijëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG