Lidhje

Shqipëria në nismën për arsimimin e vajzave


Administrata e Presidentit Obama ka ndërmarrë një nismë globale për të forcuar pozitën e vajzave në gjithë botën, përmes arsimimit dhe thotë se pamundësia e vajzave për të shkuar në shkollë duhet të jetë një përparësi e politikës së jashtme. Shqipëria është një nga 11 vendet e para ku do të zbatohet kjo nismë. Varfëria, mungesa e burimeve dhe normat kulturore i pengojnë vajzat në shumë vende të botës që të vazhdojmë studimet dhe Zonja e Parë Michelle Obama është vënë në krye të përpjekjeve për ta ndryshuar këtë realitet. Nisma “Let Girls Learn”, “Lërini vajzat të mësojnë” ka në qendër vajzat adoleshente, pasi sipas shifrave botërore, numri i vajzave që shkojnë në shkollë bie në mënyrë drastike nga shkolla nëntëvjecare në të mesmen.

Projekti per arsimimin e vajzave
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:45 0:00

“Për të shkuar në shkollë, ne na duhet të ecim në këmbë mes maleve, më shumë se 2 orë në ditë, pasi zona jonë ka vetëm një shkollë të mesme. Prandaj shumë prej shoqeve të mia ndërpresin shkollën pasi përfundojnë nëntëvjeçaren edhe kështu detyrohen të qëndrojnë në shtëpi”.

Romina Kola është një nxënëse e shkollës së mesme “Jordan Misja”, familja e së cilës është zhvendosur nga zona e Shllakut të Dukagjinit, për shkak të varfërisë dhe kushteve të vështira të jetesës.

“Kjo gjendje e detyroi familjen time që të shpërngulet në qytetin e Shkodrës, mes shumë sakrificave që unë të vazhdoj shkollën e mesme, fat që shumë prej shoqeve të mija nuk e patën asnjëherë”.

Sakrifica e prindërve të Rominës, ka bërë që ajo të mos jetë një nga 62 milionë vajzat në gjithë botën, gjysma e të cilave adoleshente, që nuk shkojnë në shkollë. Susan Markham, këshilltare e lartë e USAID-it për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas thotë se pengesat janë të shumta.

“Disa herë, shkolla e mesme është shumë më larg shtëpisë sesa ajo nëntëvjecare, prandaj prindërit nuk ndjehen mirë t’i lejojnë vajzat të bëjnë një rrugë aq të gjatë. Ndonjëherë bëhet fjalë për rrezikun e madh të dhunës ndaj saj, gjatë rrugës për në shkollë ose në vetë ndërtesën e shkollës”.

Por ajo shton se shumë ka të bëjë edhe me normat kulturore që nuk e vlerësojnë arsimin e vajzave dhe kur burimet janë të kufizuara, shpesh vajza mbahet në shtëpi dhe djali dërgohet në shkollë.

Nisma e re e Shtëpisë së Bardhë “Let Girls Learn”, “Lerini Vajzat të Mësojnë”, çon më tej një fushatë të USAID-it për ndërgjegjësimin e publikut dhe synon arsimimin e vajzave adoleshente që në të ardhmen të ndertojnë familje më të shëndetshme, një komunitet të fortë dhe një të ardhme më të ndritur. Zonja e Parë Michelle Obama vizitoi Japoninë dhe Kamboxhën në mars për të mbështetur këtë nismë. Drejtorja e Korpusit të Paqes, Carrie Hessler-Radelet, ishte me të.​

“Zonja e Parë e ka pasion këtë çështje. Ajo e ka parë se sa i rëndësishëm ka qenë arsimimi në jetën e saj dhe të Presidentit Obama për të arritur objektivat e jetës së tyre. Dhe ata duan që çdo vajzë të ketë të njëjtat shanse”.

Nisma do të zbatohet në mbi 60 vendet ku është i pranishëm me vullnetarë Korpusi i Paqes. Nga 11 vendet e para ku fillojnë përpjekjet është Shqipëria, ku siç thotë zonja Hessler-Radelet 20 për qind e vajzave e lënë shkollën pas nëntëvjeçares.

“Ne po përzgjidhnim vendet në Evropë, Mesdhe, Azi dhe Afrikë dhe meqenëse punojmë në Shqipëri dhe vetë qeveria shqiptare e ka bërë përparësi arsimin e vajzave, zgjodhëm Shqipërinë. Në mënyrë specifike në Shqipëri ne po përpiqemi që këto 20 për qind të vajzave të vazhdojnë shkollën”.

Zonja Hessler-Radelet thotë se vullnetarët e Korpusit të Paqes mund të punojnë në nivelin e komunitetit, dhe meqenëse në Shqipëri punojnë përgjithësisht në qytete të vogla dhe fshatra, në zona të largëta, janë në pozicion shumë të favorshëm të ndihmojnë vajzat që të zbulojnë potencialin e tyre.

Disa nga këto vullnetare u mblodhën së fundmi për një aktivitet në Tiranë. Mes të tjerash vullnetaret si Mary, organizojnë disa kampe për vajzat, që quhen GLOW “Girls Leading Our World”, “Vajzat që Drejtojnë Botën”, për të nxitur barazinë gjinore dhe forcimin e pozitës së të rejave. Njëra prej tyre është Mary Quandt.

“Me (kampin) GLOW ishte mundësi shumë e mirë për të folur veç e veç për shembull për temat që nuk flasin dot me prindërit. Meqë unë jam vullnetare shëndetësore kam shumë qejf të flas për shëndet, për shëndetin e trupit, higjienën e të tjera. Dhe kam një bashkëpunëtore tjetër që punon me vetëvlerësimin dhe qëllimet personale etj”.

Emily Fesette, punon në një qytet të vogël në veri. Emily thotë se në fillim në kampin e saj erdhën vetëm katër vajza megjithëse dëshira e tyre për të mësuar është e madhe. Ajo thotë se vajzat kanë pasion për të mësuar për gjithçka, anglisht, spanjisht, histori.

“Ka vetëm një gjimnaz, një shkollë të mesme dhe është vështirë sepse nuk ka aftësi të lëvizin zakonisht. Por gocat janë shumë të zgjuara dhe mendoj se kanë aftësi për gjithçka”.

Susan Markham, këshilltarja e USAID-it flet për përfitimet afatgjata të vazhdimit të arsimit të vajzave.​

“Vajzat që vazhdojnë shkollën deri kur rriten, kanë shanse të jenë më të shëndetshme, të martohen jo fare të reja, të lindin fëmijë më vonë si edhe mundësia është më e madhe që do të këmbëngulin që fëmijët e tyre të vazhdojnë studimet. Pra ka një efekt domino tek shoqëria”.

Ky efekt është i rëndësishëm, veçanërisht sepse këto ndryshime në mundësi dhe norma kulturore do të duan kohë të realizohen, ndoshta edhe një brez, siç thotë drejtoresha e Korpusit të Paqes, Carrie Hessler-Radelet.

“Ata që vërtet do të përfitojnë konkretisht nga ky program janë fëmijët e të rejave dhe të rinjve me të cilët ne po punojmë tani. Është një angazhim afatgjatë sepse do kohë të ndryshojnë normat dhe sjelljet”.

Romina Kola nga Shkodra, është një shembull i shkëlqyer që dëshmon se kur familja, komuniteti dhe forcat globale punojnë për një synim, një e ardhme e pashpresë shndërrohet në një të ardhme shpresëdhënëse.

XS
SM
MD
LG