Lidhje

Arvizu: Bashkëpunimi instuticional SHISH-SHBA do të vazhdojë


Ambasadori amerikan në Shqipëri Alexandër Arvizu tha se për këtë kishte marrë garanci nga autoritetet e vendit

Në Shqipëri ambasadori amerikan Alexandër Arvizu tha sot se kishte marrë garanci nga autoritetet e vendit se do të vazhdojë bashkëpunimi i fortë institucional mes Shërbimit informative shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. Këto komente ambasadori Arvizu, i bëri pas takimeve sot si me Presidentin Bujar Nishani ashtu dhe me kryeministrin Sali Berisha, të cilët javën e shkuar zyrtarizuan shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Sekrete Bahri Shaqiri. Menjëherë pas vendimit, burime të ambasadës amerikane deklaruan se kishin mbetur të befasuara duke theksuar se “koha dhe arsyet përbëjnë një pikëpyetje”. Ambasadori amerikan pohoi sot se nuk kishte patur konsultime paraprake mes tyre dhe autoriteteve shqiptare duke shtuar se kjo cështje ishte trajtuar edhe në takimet e sotme.

Ambasadori Arvizu vlerësoi me nota maksimale bashkëpunimin me ish drejtorin Shaqiri duke e cilësuar atë si një “partner të shkëlqyer” e duke shtuar megjithatë se “asnjë zyrtar publik nuk duhet të rrijë për një kohë të gjatë në poste”. Ai shmangu të komentonte rapotet e vështira që zoti Shaqiri ka patur me qeverinë. Nga ana tjetër ambasadori shprehu mirënjohje për angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta cuar përpara bashkëpunimin e Shërbimit Informativ me Shtetet e Bashkuara. “Kjo është e rëndësishme edhe për marrëdhëniet tona dypalëshe por edhe për rajonin. Por po aq i rëndësishëm është roli i SHISH në të ardhmen, sepse ne kemi punuar shumë dhe SHBA kanë punuar shumë për të krijuar këto marrëdhënie të forta institucionale që kanë cuar në këtë pikë ku jemi sot”.

Shkarkimi i zotit Shaqiri u përcoll me shqetësim në Tiranë, vecanërisht nga opozita, edhe për shkak të zëvendësimit të tij me zotin Visho Ajazi Lika, i cili kishte qenë një ndër drejtuesit e Lartë të Shërbimeve Sekrete shqiptare në fillim të viteve ’90. Duke iu referuar drejtorit të ri, ambasadori Arvizu nënvizoi faktin se “ai sot po trashëgon një organizatë që është shumë ndryshe nga SHIK-u i viteve ’90. Sot nuk bëhet fjalë për SHIK-un e ’90 por SHISH-in e 2012. Në atë kohë Shqipëria nuk ishte anëtare e Natos, sot është. Eshtë e rëndësishme për drejtorin e ri – shtoi ambasadori - për ta cuar SHISH në drejtimin që zoti Shaqiri e filloi”. Ambasadori amerikan vuri në dukje se “Shqipëria është një vend i NATO-s dhe është shumë e rëndësishme për organizatën që të kryejë aktivitetin e saj në një mënyrë të tillë që është në përputhje me statusin e Shqipërisë si vend anëtar”.

Opozita por dhe mjaft analistë kanë ngritur shqetësimin se sipas tyre kryeministri ka vënë një njeri të vetin në krye të shërbimeve sekrete për të patur kontrollin e plotë mbi to. Për ambasadorin amerikan “në një demokraci funksionale është mëse normale që drejtuesit të kërkojnë të emërojnë njerëz të cilëve u besojnë. Kjo ndodh edhe në Amerikë”, u shpreh duke theksuar se “celësi është te fuqia e institucionit. A ekzistojnë kontrollet dhe balancat e duhura, a ka një mbikqyrje të duhur nga gjyqësori, nga legjislativi, nga shtypi? Në SHBA vendosen njerëz të besuar por ka kontroll dhe balancë. Në Shqipëri cështja shtrohet a ekzistojnë balancat institucionale? Shumica e njerëzve besojnë se ka shumë punë në këtë drejtim dhe kjo përbën një lloj baze për shqetësim”, përfundoi ambasadori Arvizu.
XS
SM
MD
LG