Lidhje

Komisioni Europian pritet të rekomandojë që Shqipërisë t’i jepet statusi kandidat


Kushtëzohet me realizimin e disa reformave

Shqipëria pritet të bëjë sot një gjysëm hapi perpara drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, Komisioni Europian përveç raportit të progresit të bërë nga vendi në 12 muajt e fundit, pritet të bëjë publik edhe rekomandimin për vendet anëtare lidhur me kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë. Në ndryshim nga dy vitet e kaluara kur për shkak të krizës së gjatë politike, dhënia e statusit u mohua, këtë herë pritet që Komisioni të propozojë dhënien e statusit, por me kushtin që më parë të jenë realizuar disa reforma në fushën e drejtësisë, në atë të administratës publike si dhe të përmbyllë reformën parlamentare duke kërkuar njëkohësisht edhe një angazhim më të fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shqipëria duhet të plotësonte arritjen e 12 objektivave që Komisioni Europian i kishte përcaktuar që në opinionin e tij të vitit 2010. Një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian deklaroi se “vendi ka arritur të plotësojë disa nga reformat, është në rrugë të mbarë për përmbushjen thelbësore të disa prej objektivave, ndërsa nuk ka përmbushur sa duhet objektivat e tjerë”. Reforma parlamentare, ligji për gjykatën e lartë dhe ai për nëpunësin civil janë disa nga reformat e papërfunduara dhe të mbetura pezull për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes shumicës dhe opozitës.

Me këtë formulë, në rekomandimin e komisionit çështja e bisedimeve për anëtarësim nuk përfshihet. “Statusi dhe bisedimet janë dy gjëra të ndara”, shpjegoi zyrtari i lartë i Komisionit. Në dhjetor do të jenë vendet anëtare të cilat do të vleresojne rekomandimin e Komisionit, dhe Shqipërisë do t’i duhet që ndërkohë të japë prova të forta, në mos për të marrë një vlerësim pozitiv, të paktën të mos shtyjë në kohë çështjen e statusit, qoftë edhe të kushtëzuar. Nëse vendimi për Shqipërinë do të merret në dhjetor apo në mbledhjet e ardhshme të këshillit të ministrave “kjo varet shumë nga aftësia e Shqipërisë për të përfunduar punën në disa fusha që kemi identifikuar”, tha zyrtari i lartë i Komisionit Evropian.

Publikimi i rekomandimit të Komisionit për Shqipërinë si dhe vleresimi per ecurinë e mëtejshme të marrëdhenieve me vendet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit, pritet të bëhet nga komisioneri per zgjerimin Stefan Fyle pak pas mesditës, kur kolegji i komisionerëve të ketë miratuar edhe raport progreset për secilin vend. Raporti për Shqipërinë pritet t’i dorëzohet më pas kryeministrit Berisha nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi.



Në Shqipëri një sondazh i publikuar të martën nga Instituti për studime ndërkombëtare dëshmon se qytetarët vazhdojnë të mbështesin në shumicë dërrmuese anëtarësimin e vendit në Bashkimin europian. Një ditë përpara publikimit të rekomandimit të komisionit europian për Statusin e vendit kandidat, vetëm 39 përqind besojnë se ai do t’i jepet Shqipërisë, ndërsa 33 përqind nuk janë optimist për një përgjigje pozitive

Mbështetja e shqiptarëve ndaj integrimit europian të vendit është rritur krahasuar me vitin e kaluar kur sipas sondazhit të kryer nga Instituti për studime ndërkombëtare, ajo ra me 14 pikë, duke zbritur në 80 përqind. Vrojtimi i këtij viti tregon një përmirësim. 86,5 përqind e të pyeturve janë përgjigjur se në rast të një referendumi ata do të votonin në favor të anëtarësimit.



Që nga nëntori i kaluar falë marrëveshjes mes shumicës dhe opozitës vendi ka bërë hapa përpara në plotësimin e rekomandimeve të Brukselit, ndonëse mosmarrëveshjet mes palëve vazhdojnë. Kjo situatë duket e reflektuar edhe në pritshmërinë e qytetarëve për rekomandimin e Komisionit europian që parashikohet të pubikohet nesër. 39 përqind e të pyeturve mendojnë se Shqipëria do ta përfitojë statusin, ndërsa 33,5 përqind mendojnë që jo. Pjesa tjetër nuk ka një ide për rrjedhën e ngjarjeve.

Afro gjysma e qyetarëve, sipas sondazhit, mendon se vendi nuk është gati për anëtarësim, ndërkohë që 30 përqind mendojnë se Shqipëria është e përgatitur. Ndërsa janë afër 37 përqind e qytetarëve që mendojnë se Bashkimi europian duhet ta pranojë vendin para se të jetë gati.

Duket se zhvillimet e brendshme kanë një ndikim të fortë në perceptimin e shqiptarëve ndaj procesit të integrimit. Ndërsa vitin e kaluar, kur kriza politike ishte ende e fortë, 40 përqind mendonin se integrimi do të sillte forcimin e demokracisë, këtë herë afër 38 përqind mendojnë se integrimi do të sjellë një rritje të standartit të jetesës, ndërsa afër 47 përqind mendojnë se do të shtojë vende pune, do të forcojë shtetin e së drejtës dhe do të ketë më pak korrupsion. Po arsyet ekonomike janë kryesoret edhe për ata që do të votonin kundër, 40 përqind e të cilëve druajnë një rritje të cmimeve, ndërsa 26 përqind shohin me rrezik humbjen e identitetit kombëtar.

Nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për të ardhmen e procesit të integrimit. Pas dy refuzimesh radhazi, komisioni europian pritet të publikoje raportin e vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe rekomandimin e tij për statusin. Shumë vëzhgues parashikojnë në një përgjigje pozitive, por të kushtëzuar, ose me vetë statusin ose me hapjen e bisedimeve. Rekomandimi i Komisionit europian është hapi i parë dhe vendimi përfundimtar pritet në dhjetor nga vendet anëtare. Brenda kësaj periudhe Shqipëria ka ende kohë të japë prova se e meriton statusin e vendit kandidat.
XS
SM
MD
LG