Lidhje

Shqipëri: Bizneset e vogla, “jetëshkurtra dhe të pafuqishme”


Shqipëri: Bizneset e vogla, “jetëshkurtra dhe të pafuqishme”
Shqipëri: Bizneset e vogla, “jetëshkurtra dhe të pafuqishme”

Qendra studimore Open Data Albania i propozoi autoriteteve shtetërore që të nxitin zhvillimin e sipërmarrjeve me mbi 10 punëtorë, sepse ato janë më bizneset më jetëgjata në ekonominë shqiptare. Kjo qendër sapo ka publikuar një studim mbi efektin që kanë sjellin sipërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha në punësimin e njerëzve. Një grup studiuesesh te reja kanë gjetur se “mbi 90 për qind e ndërmarrjeve në Shqipëri janë në fakt biznese të vogla familjare me 1 deri në 4 punëtorë, por ato zënë vetëm 40 për qind të tregut të punës”.

Studiuesja Eni Didi thotë që edhe pse numri i këtyre ndërmarrjeve të vogla është shumë i madh, ato nuk kanë qëndrueshmëri në punësim, sepse kanë një cikël jetëshkurtër vetëm 2-5 vjeçar. “Arësyeja kryesore e jete të shkurtër është se këto ndërmarrje nuk rriten dhe mbeten me të njëjtin numër punëtorësh. Këto ndërmarrje kaq shumë të përhapura me një numër minimal punëtorësh janë të brishta ndaj ndaj çdo luhatjeje dhe paqëndrueshmërie ekonomike, dhe ato falimentojnë menjëherë ose hasin vështirësi, sepse nuk kanë asnjë rezerevë dhe as ndonjë plan biznesi që mbulon apo parashikon të ardhmen e afërt” - thotë studiuesja e re Olta Begu.

Një tjetër veçanti është fakti se sektori i shërbimeve është shumë i përhapur, por punëson vetëm deri në 18 për qind me një numër minimal punonjësish. “Ndërtimtaria nuk është më sektori i parë në punësim. Aktualisht sektorët më të fuqishëm në punësim janë industria dhe tregtia, madje ndërtimi ka zbritur në vendin e katërt edhe prapa shërbimeve” - thotë studiuesja Mariola Kapidani.

Studimi sugjeron se favorizimi me ulje taksash i ndërmarrjeve me 50 punëtorë në Tiranë dhe disa qytete të mëdha mund të sjellë zhvendosjen e shumë bizneseve drejt kryeqytetit. Prandaj “nismat vendore do të duhet të shtrihen nga qeveria në nivel kombëtar, sepse kështu si tani mund të rritin edhe më tej papunësinë në zonat e varfëra” - thotë Aranita Brahaj, drejtuese e Qendrës Open Data Albania.

Qendra Open Data Albania konstaton se 82 për qind e të punësuarve në shqipëri i përkasin sektorit privat, dhe vetëm 18 për qind punojnë në sektorin shtetëror. Prandaj çdo lëvizje duhet bërë me kujdesin që të mos ndikojë negativisht dhe menjëherë në këto struktura punësimi shume delikate.

XS
SM
MD
LG