Lidhje

Shqipëria nderon çlirimin nga nazifashizmi


Institucionet më të larta të shtetit shqiptar përkujtuan sot 69 vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Bujar Nishani, kryetari i parlamentit, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama vendosën kurora me lule në varrezat e dëshmorëve të kombit në shenjë respekti për sakrificat e luftëtarëve shqiptarë të rezistencës antifashiste.



Bashkë me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar në ceremonitë përkujtimore për 29 nëntorin e vitit 1944 morën pjesë përfaqësues shoqatash dhe organizatash joqeveritare, në të cilat ka shumë veteranë të Luftës së Dytë Botërore, ish-ushtarakë e familjarë të tyre dhe veprimtarë të shoqërisë civile.

Prej disa vitesh gjatë tranzicionit po zhvillohet një debat i ashpër mes historianëve mbi rëndësinë e kësaj date në historinë e vendit, nëse ajo shënon ditën e parë të lirisë nga pushtuesit nazifashistë apo ditën e triumfit të diktaturës komuniste. Me ndihmën e komunistëve jugosllavë, forcat komuniste shqiptare vendosën me dhunë diktaturën njëpartiake, e cila vrau pa gjyqe ose me gjyqe speciale, burgosi dhe internoi ata që shiheshin si kundërshtarë të regjimit.

Pas afro 5 vjet pushtimi nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë, Shqipëria kaloi afro 5 dekada nën diktaturën më të egër të Europës, e izoluar nga bota demokratike, ndonëse luftëtarët e saj, shumica të rinj me ëndrra për liri e demokraci, e renditën vendin në krahun e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, duke i larguar pushtuesit pa ndihmë ushtarake nga jashtë.
XS
SM
MD
LG