Lidhje

Greqi : Goditet organizata shqiptaro-greke e drogës


Policia greke tha se goditi një organizatë kriminale shqiptaro-greke që transportonte dhe shpërndante sasi të mëdha marijuane në kryeqytetin grek Athinë dhe në zonën e Atikës Perëndimore.

Sipas policisë greke tetë persona, 4 shqiptarë dhe 4 grekë, janë arrestuar ndërkohë që është bllokuar mbi gjysëm tonë marijuanë. Sipas të dhënave policore personat e arrestuar kishin krijuar, të paktën që nga fillimi i vitit 2017, një organizatë kriminale me një strukturë specifike dhe role të dallueshme për qëllime të trafikimit të narkotikëve.

Kreu i grupit, një 27-vjeçar nga Shqipëria, merrte të gjitha vendimet në lidhje me furnizimin e drogës, mënyrën dhe vendin e depozitimit, çmimin e shitjes, si dhe mbledhjen e parava nga shitja. Në rolin mbikëqyrës ishin edhe dy shtetasit e tjerë shqiptarë të moshës 31 dhe 33 vjeç pohuan burimet policore greke.

Policia greke vlerësoi se një tipar karakteristik i veprimit të organizatës ishte fakti se ata kishin zhvilluar mënyra të koduara të komunikimit, parave dhe emrave, vazhdimisht duke marrë masa paraprake dhe duke shmangur kontrollet policore, dhe duke ndryshuar here pas here pikat e shpërndarjes së drogës.

Një ditë më parë policia greke bllokoi në një autoveturë mbi 130 kilogramë marijuanë në zonën kufitare afër Shqipërisë. Greqia është destinacioni i dytë i marijuanës shqiptare pas Italisë. Autoritetet policore greke të rajonit të Epirit, zona kufitare me Shqipërinë, njoftuan pak ditë më parë se gjatë vitit 2017 janë sekuestruar në këtë zonë më shumë se 9,3 ton marijuane. Kjo sasi është shumëfish më e madhe krahasuar me vitin 2015, kur u bllokuan rreth 600 kg kanabis dhe në vitin 2016, kur u sekuestruan rreth 3.5 ton.

Sipas policisë greke, sasitë më të mëdha te drogës u bllokuan nga policia greke në muajt shkurt, mars dhe qershor. Të dhënat e policisë greke flasin se më shumë se 150 persona shumica shqiptarë, janë ndaluar gjatë aksioneve për bllokimin e lëndës narkotike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG