Lidhje

Shqipëri: Komisioni i ekonomisë nis sot diskutimin e projekt-buxhetit


Shqipëri: Komisioni i ekonomisë nis sot diskutimin e projekt-buxhetit
Shqipëri: Komisioni i ekonomisë nis sot diskutimin e projekt-buxhetit

Komisionet e përhershme të parlamentit shqiptar nisin sot shqyrtimin e projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2012, mes premtimeve entuziaste të qeverisë për investime dhe skepticizmit të opozitës për nivelin e lartë të borxhit të brendshëm. Komisioni parlamentar i ekonomisë do të nisë i pari debatin me një parashtrim të ministrit të financave dhe më pas me pyetje dhe diskutime nga deputetët e secilës palë. Ministri i financave, Ridvan Bode, paraqiti një ditë më pare projekt-buxhetin e ri në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, ku theksoi se rritje ekonomike parashikohet sërish vitin tjetër, krahas rritjes së pagave dhe pensioneve, qëndrueshmëri makroekonomike dhe investime në infrastrukturë, arsim dhe mjekësi.

Zoti Bode tha se “këtë vit pritet që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë rreth 4 për qind dhe po aq parashikohet të jetë edhe vitin tjetër, ndërsa inflacioni i kontrolluar në rreth 3 përqind. Shqipëria ka arritur të shmangë presionet e krizës botërore duke dalë me pasoja minimale dhe i vetmi vend në rajon me rritje ekonomike” - tha ai. Ministri Bode tha se ndër detyrat kryesore për vitin tjetër do të jenë ulja e papunësisë dhe ulja e borxhit të brendshëm.

FMN i ka kërkuar qeverisë shqiptare që t’i kushtojë kujdes më të madh uljes së borxhit publik, i cili është në nivele të pazakonta, sipas ekspertëve të tij. Po ashtu edhe opozita socialiste ka shprehur shqetësim “për nivelin e konsiderueshëm të borxheve”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thënë se “tashmë shqiptarët duhet të paguajnë shumë vite me radhë për të shlyer borxhet që ka marrë kjo maxhorancë”. Në mbledhjen me deputetët e PS në fillim të javës, zoti Rama tha se këtë vit, opozita do të zhvillojë një betejë të vërtetë profesionale për të shpjeguar difektet e projekt-buxhetit të ri, dhe falsitetin e shumë shifrave qeveritare. Mes tyre opozita i konsideron të pandjeshme rritjet e pagave dhe të pensioneve, përballë rritjes së madhe të çmimeve në tregun përherë e më të papërballueshëm në ekonominë reale.

XS
SM
MD
LG