Lidhje

Shqipëria do të strehojë 210 muxhahedinë iranianë


Shqipëria do t’u ofrojë strehim 210 anëtarëve të organizatës Mojahedin-e-Khalq, ose sic njihet ndryshe me emrin Muxhahedinët e popullit Iranian. Ky vendim u bë i ditur gjatë takimit që kryeministri Sali Berisha pati me Zëvendës Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit për Cështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler. Organizata Mojahedin-e-Khalq konsiderohet si opozita politike e regjimit të Ahmedin Nexhadit në Iran. Janë afër tremijë anëtarë të saj që prej vitesh ndodhen të strehuar në Irak

Që prej vitit 1979 organizata Mojahedin-e-Khalq është konsideruar nga autoritetet e Iranit si një lëvizje që përfaqëson tradhëtarët e atdheut. Të strehuar në Irak, anëtarët e saj morën pjesë në krah të Saddam Huseinit në vitet ’80, gjatë luftës mes Irakut dhe Iranit. Në gjysmën e dytë të viteve 90, Muxhahedinët e Popullit Iranian, sic njihen dhe ndryshe, u përfshin në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Per shumë vite me radhë, ajo është konsideruar si e tillë edhe nga Bashkimi europian. Vetëm në 2009, Brukseli me një vendim të 27 vendeve anëtare vendosi ti heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012 një vendim i ngjashëm u mor edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kjo organizatë është ndër themelueste kryesore të Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane, në opozitë me regjimin e presidentit Ahmedin Nexhat.

Që prej vitit 2003, kur në Irak hynë trupat amerikane, mbi 3 mijë anëtarë të organizatës qëndrojnë të strehuar në kampin Ashraf, nën mbikqyrjen e forcave amerikane. Afër 400 prej tyre u transferuan vitin e kaluar në një ish bazë amerikane “Liria”, pranë Bagdadit, ku ata vetë janë ankuar për kushte tepër të rënda të jetesës, ndërsa organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, u ka njohur atyre statusin e refugjatit.

Shumë shpejt, 210 prej tyre, nga kampi “Liria”, do të të mund të vijnë në Shqipëri. Gjatë takimit të mbrëmshëm mes kryeministrit Sali Berisha dhe Zëvendës Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, të cilët shoqëroheshin dhe nga përfaqësuesë UNHCR-s, është konfirmuar se Shqipëria do të mirëpresë transferimin e tyre.

“Qeveria shqiptare është e gatshme dhe po merr masa për tu ofruar strehim për arsye humanitare dhe do t’u krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit”,ka deklaruar kryeministri Berisha.

Sipas njoftimit të qeverisë, vendimi për strehimin e refugjatëve iranianë, është në fakt finalizimi i një premtimi dhe angazhimi që Tirana kishte marrë që gjatë vizitës së ish sekretares amerikane Hillary Klinton në Shqipëri vjeshtën e kaluar.

Vendimi është mirëpritur si nga përfaqësuesja e lartë amerikane ashtu dhe përfaqësuesi I Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Sipas njoftimit të qeverisë, “Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha duke vlerësuar lidershipin që ai po dëshmon edhe për këtë çështje, si një mik i vërtetë i SHBA-ve”.

Ndërsa nga ana e tij “ambasadori Martin Kobler i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë të tij dhe të Sekretarit të Përgjithshëm e organizatës së OKB-së si për bujarinë që qeveria shqiptare po dëshmon në këtë rast edhe për faktin që Shqipëria po u tregon vendeve të tjera një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit të ngushtë e të suksesshëm ndërkombëtar, në emër të vlerave të jetës e të humanizmit”, citohet të ketë deklaruar përfaqësuesi I Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Irakun.

XS
SM
MD
LG