Parlamenti shqiptar miratoi sot një ligj të ri për organizimin e shoqërive bujqësore, në përpjekje për të nxitur bashkëpunimin dhe për të rritur prodhimin në fshat. Qeveria dhe opozita debatuan gjatë për gjendjen e bujqësisë, duke marrë shkas nga ligji i ri, i cili krijon kushte për punësim më të madh në fshat.
Deputetët e shumicës pohuan se ligji i ri është europian dhe se ata janë realistë që bujqësia shqiptare ka nevoja të mëdha që nuk zgjidhen me një ligj. Opozita kërkoi që rekomandimet e BE-së të zbatohen në kushtet konkrete të Shqipërisë. Ministri i bujqësisë, Genc Ruli, tha se “ligjet e BE-së, ashtu edhe ky shqiptar, përcaktojnë format e bashkëpunimit, ndërsa detajet fiskale mbulohen me ligje të tjera”.
Deputetët opozitarë thanë nga ana tjetër se ligji është sjellë me vonesë dhe se fshati ka nevojë për ndërhyrje urgjente në punësim dhe prodhim. Sipas tyre, “bujqësia është e prapambetur; aty jeton 50 për qind e popullatës ndërsa prodhimi bujqësor mbuon më pak se 20 për qind të prodhimit kombëtar”.
Zonat fshatare vazhdojnë të stregojnë dhe punësojnë afro gjysmën e popullsisë shqiptare, megjithë emigrimin masiv të rinisë nga këto zona drejt qyteteve jashtë apo Brenda vendit. Investimet në bujqësi deri tani kanë qenë spontane dhe të pakëta, sepse për shkak të ligjit 7501 tokat bujqësore iu shpërndanë fshatarëve në copa nga 0,7 deri në 1 hektarë, dhe nuk iu kthyen pronarëve që mund të siguronin një zhvillim të qëndrueshëm.