Lidhje

Ndërhyrjet e paligjshme plastike në Shqipëri


Të nxitura nga presioni për t’u dukur mirë në median sociale, vajzat e reja shqiptare po joshen nga çmimet e ulta në sallonet e bukurisë për të bërë operacione plastike, pa kontroll mjekësor dhe në një vakum ligjor, duke alarmuar mjekë të specializuar për operacione plastike.

Emira Sela nuk është e kënaqur nga deformimi i shkaktuar si rezultat i një trajtimi kozmetik të pakontrolluar.

31 vjeçarja filloi të shqetësohej kur filluan t’i shfaqen rrudha në fytyrë. Parukierja e saj i tregoi për një injeksion të thjeshtë që kushtonte gati 65 dollarë dhe që fshinte shenjat e moshës.

Sallonet e bukurisë dhe flokëtore pa ekspertizë dhe supervizion mjekësor ofrojnë trajtime të tilla kozmetike, duke alarmuar mjekët e kualifikuar për këto ndërhyrje. Një injeksion i thjeshtë për të cilin Ermira nuk dinte asgjë, ishte mjaft për t’i shkatërruar jetën. Megjithë antibiotikët ajo ka dhimje të përhershme, temperaturë dhe të vjella, ndërsa ënjtja në anën e djathtë të fytyrës i shkakton mbylljen e syrit dhe fytyra e saj është gati e paralizuar.

"Jam aq e shpërfytyruar saqë doja të vrisja veten," thotë Emira Sela, e cila humbi vendin e punës në një bankë. Shpresa e saj e vetme është operacion për të korriguar gabimin në një spital italian.

Dëshira për t’u dukur si Kardashian

"Ka gjithnjë e më shumë mashtrues me shiringa” thotë Panajot Papa, një kirurg i operacioneve plastike në një klinikë private në Tiranë. "Problem janë gjithashtu produktet… të ndaluara në Evropë që hyjnë ilegalisht nga Turqia apo Kina."

Eriona Shehu, dermatologe në spitalin universitar të Tiranës, thotë se produktet e paçertifikuar, ofrohen me çmime shumë të lira.

"Ndërhyrjet kozmetike janë bërë një industri fitimprurëse. Pacienti është vetëm një konsumator i ekspozuar ndaj një numër rreziqesh."

Shehu thotë se dëshira për t’u dukur si Kim Kardashian "po u shkatërron jetët vajzave të reja shqiptare që kërkojnë të zbukurohen".

Mjekët shqiptare thonë se mosha tipike e klientëve që u nënshktrohen procedurave të tilla është mes 16 dhe 28 vjeç. Në një vend me gati 3 milionë banorë, kërkesa për ndërhyrje kozmetike u rrit me më shumë se 50% në vitin 2015, sipas një studimi të publikuar nga revista ekonomike shqiptare, Monitor.

Ofertat promocionale mund të shihen kudo, si në një sallon bukurie që reklamon 20% ulje për tre klientë së bashku për trajtim gjatë festave të fundvitit.

Kirurgu Papa thotë se ai ka trajtuar 12 vajza të reja mes moshës 20 dhe 27 vjeç që kishin komplikacione pasi kishin fryrë buzët dhe mollëzat me injeksion silikoni për 40 deri në 50 euro.

Produkti ka qënë i ndaluar për përdorim kozmetik në vende si Itali dhe Francë për më shumë se 15 vjet.

Mbyllja e Hendekut Ligjor

Mjekët shqiptarë janë të shqetësuar nga praktikantë të huaj që vijnë nga Italia, Turqia dhe Greqia për të punuar vetëm gjatë fundjavës.

"Ata mund të mos kenë diploma, kualifikim apo liçencë për këto lloj ndërhyrjesh apo të marrin përgjegjësinë për të ndjekur ndërhyrjen," thotë Besim Boçi, drejtues i departamentit të otolaringologjisë në spitalin universitar të Tiranës.

Për shkak të hendekut ligjor, drejtësia nuk mund të ndërhyjë.

Një zëdhënëse për gjykatën e Tiranës, Alba Nikolla, e pranon se tani për tani është e pamundur "të hapësh hetime dhe të dënosh bazuar vetëm në ankesa" kundër praktikantëve.

Por autoritetet janë të vendosur për ta trajtuar këtë me një projekt-ligj për të kontrolluar produktet kozmetike dhe të salloneve të bukurisë, që do të paraqitet në parlament gjatë muajve të ardhshëm.

Ligji është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian, ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet, dhe do t’i mundësojë autoritetet të mbyllin qendrat që përdorin produktet e ndaluara.

Për ndërhyrje të dështuara, praktikantët mund të dënohen me tre deri në 10 vjet burg.

XS
SM
MD
LG