Lidhje

Qeveria miratoi plan-veprimi kundër korrupsionit


Qeveria shqiptare miratoi gjatë një mbledhje në mbrëmje disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale të cilat përfshijnë korrupsionin në kompetencat e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Këto ndryshime përcaktojnë rregullat e arrestit, kontrollit personal dhe të banesës për deputetin, gjyqtarin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. Këshilli i ministrave miratoi edhe disa ndryshime në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Këto masa të reja parashikojnë sekuestrimin e pasurive, veprimtarisë ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe konfiskimin e pasurisë së personave, të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale në fushën e korrupsionit.

Ndryshimet në Kodin e procedurës penale dhe në ligjin për sekuestrimet u miratuan së bashku me planin e veprimit të qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas njoftimeve zyrtare për shtypin, ky plan veprimi përmban hapat konkretë që do të ndiqen gjatë muajve në vijim, me fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vazhdimi i luftës ndaj korrupsionit dhe krimit me dëshmi konkrete mbeti si kërkesë kryesore e Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria u propozua për të marrë statusin e vendit kandidat. Po ashtu përfaqësuesit europianë kërkuan që forcat politike të vazhdojnë një dialog të frytshëm mbi reformat dhe miratimin e tyre me konsensus. Megjithatë, dialogu mes partive kryesore ka qenë i vështirë pas ndërrimit të roleve në parlament dhe në qeveri. Opozita ka kundërshtuar pothuaj cdo vendim të qeverisë së re socialiste në fushën e rendit publik, administratës shtetërore dhe të ekonomisë.

Partia Demokratike kundërshtoi emërimet e reja në policinë e shtetit, aktin normativ për nënpunësit civilë dhe aktin normativ për shkurtimin e buxhetit. Opozita deklaroi se korrigjimi i buxhetit po sjell pasoja të rënda për mirëqenien e qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik. Gjatë një takimi me qarqet e biznesit drejtues të PD-së pohuan se shkurtimet e buxhetit zbuluan paaftësinë e qeverisë së re për të përmbushur detyrën. Sipas opozitës, qeveria po bën planifikime ekonomike me rezerva dhe po përkeqëson artificialisht gjendjen e ekonomisë dhe financave publike. Demokratët mendojnë se qeveria po përhap pesimizëm dhe panik në ekonomi duke përshkruar nje gjendje të rëndë dhe një arkë të boshatisur.

Qeveria dhe opozita japin vlerësime të ndryshme për mënyrën se si ekonomia shqiptare i përballoi presionet e krizës botërore dhe rajonale. Ato madje japin vlerësime të ndryshme edhe për ritmin e rritjes ekonomike, të eksporteve dhe të investimeve. Debatet për gjendjen ekonomike pritet të rindizen pas disa javësh kur qeveria të dorëzojë në parlament projekt-buxhetin e vitit të adhshëm dhe kur BE të shprehet lidhur me kërkesën për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
XS
SM
MD
LG