Lidhje

Serbia fiton 2 - 0 ndaj Shqipërisë në një garë sportive pa incidente


Albania Serbia Euro Soccer
Albania Serbia Euro Soccer

Ekipet përfaqësuese të futbollit të Shqipërisë dhe Serbisë zhvilluan sot në mbrëmje takimin e tyre të dytë në grup, të vlefshëm për eleminatoret e Kampionatit Europian. Serbia realizoi dy gola në minutat shtesë.

Ndeshja e futbollit ishte e barabartë në pjesën më të madhe të kohës, por në minutat e fundit duket se fitoi përvoja dhe gjakftohtësia e ekipit serb.

Shqipëria ndodhet në vend të tretë në grup, pas Portugalisë, tashmë të kualifikuar për në Kampionatin Evropian dhe Danimarkës, në vend të dytë, me vetëm një pikë më shumë she Shqipëria. Ekipi shqiptar ka edhe një shans të fundit kualifikimi të drejtpërdrejtë, të shtunën në ndeshjen me Armeninë.

Loja u përcoll nga një atmosferë festive e tifozerisë shqiptare, ndërsa në anën e serbëve ishin vetëm 70 studentë nga Beogradi. Të dy skuadrat rrezikuan fare pak portat kundërshtare, madje në shumë raste respektuan njëri tjetrin, duke dorëzuar topin në shenjë "fair play" për të kurajuar lojtarët e dëmtuar.

Ndeshja e shumëpritur u prit me emocione të forta sportive dhe tensione diplomatike mes dy vendeve.

Qeveria serbe pezulloi komunikimet me ambasadorin shqiptar në Beograd, ndërkohë që kryeministri Rama mikpriti studentët serbë në Tiranë.

Përballja sportive mes dy vendeve tërhoqi vëmendjen e një numri të jashtëzakonshëm sportdashësish shqiptarë nga rajoni dhe Europa.

Policia mori një numër të jashtëzakonshëm masash për të ruajtur sigurinë në qytetin e Elbasanit, ku stadiumi i rindërtuar nuk mban më shumë se 13 mijë vetë.

Policia shqiptare angazhoi 2300 forca policore dhe njësi speciale, në vëzhgimin e rrugëve dhe pikave kufitare.

Forcat e rendit bllokuan rrugë dhe sheshe kryesore në Tiranë dhe Elbasan, si dhe në rrugët që bashkojnë dy qytetet, për të shmangur çdo incident të mundshëm sado të vogël brenda dhe jashtë stadiumit.

Skuadra serbe mbërriti mbrëmë në hotel Sheraton të Tiranës, ku njoftoi shtypin se në rrugën nga aeroporti pati një incident gjatë udhëtimit, kur autobusi i tyre u qëllua me gurë.

Policia kryeqytetase arrestoi një 14 vjeçar për goditjen me gurë të autobusit serb, ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Beograd Ilir Boçka nuk pranoi të tërhiqte një notë proteste nga pala serbe për këtë incident.

Qeveria serbe tha se për këtë refuzim ajo nuk e njihte më për ambasador zotin Boçka.

Ministria e jashtme shqiptare shprehu zhgënjim për veprimet e autoriteteve serbe, duke e quajtur si joproporcionale.

Një zëdhënës i ministrisë së punëve të jashtme tha se qeveria serbe paragjykoi vullnetin e mirë e të plotë të autoriteteve shqiptare për mbarëvatjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika.

Për më tepër kur studentët serbë dhe ata shqiptarë u takuan në Tiranë me kryeministrin Edi Rama dhe vizituan qendrën për hapje dhe dialog në katin e parë të selisë së qeverisë.

Zoti Rama përshëndeti dhe bisedoi me të rinjtë mbi interesat e brezit në kohët e reja, duke shprehur besimin se të rinjtë mund të bëhen bartës së ndryshimit dhe të ndërtojnë urat e komunikimit dhe miqësisë mes dy vendeve.

Edhe më parë kryeministri shqiptar dhe ai serb kanë shkëmbyer takime dhe vizita në dobi të rajonit dhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Masat e shtuara policore dhe emocionet e forta që shkaktoi ndeshja e sotme e futbollit erdhën nga rëndësia që kishte kjo ndeshje për kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian aq edhe nga frika se ndoshta mund të ndodhin edhe në Elbasan incidente si ato që ndodhën në ndeshjen e parë të Beogradit.

Skuadra shqiptare pësoi atje një dhunë masive fizike nga tifozët që hynë në fushë dhe nga koret raciste të tifozëve serbë kundër tyre, që mallkonin vdekjen e shqiptarëve.

Skuadra serbe tha se mund të tërhiqej nga ndeshja nëse ndodh ndonjë incident, ndonëse sipas policisë në sigurinë e tyre nuk është shënuar as problemi më i vogël dhe as bëhet fjalë të përsëritet dhuna masive që ndodhi në Beograd.

Policia arrestoi për armëmbajtje pa leje edhe Ismail Morinën, i riu që mori përsipër se ngriti mbi stadiumin e Beogradit dronin me figurat historike të shqiptarëve, duke larguar edhe një dyshim tjetër për incident.

Rrugët e Shqipërisë u mbushën nga qindra mijëra të rinj shqiptarë me flamuj kombëtarë, për të ndjekur ndeshjen e shumëpritur, të cilën nuk e fituan dot, por së paku ajo u zhvillua si një garë e drejtë, e ndershme dhe e kulturuar.

XS
SM
MD
LG