Lidhje

Tiranë, opozita paralajmëron valë protestash


Në Shqipëri opozita organizoi sot një marshim proteste kundër qeverisë, duke paralajmëruar një valë manifestimesh të tjera nëse shumica sipas saj nuk do të përmbushë premtimet e saj ndaj qytetarëve. Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha akuzoi qeverinë se po godet brutalisht sipas tij, konsensusin politik, gjykatat dhe institucionet e pavarura, duke vënë në rrezik procesin e integrimit europian të vendit. Ndërkohë parlamenti në seancën e tij zgjodhi kreun e ri të Inspektoriatit të Verifikimit të pasurive në vend të drejtueses aktuale Zana Xhuka.
Protesta të opozitës në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:25 0:00
Mijëra përkrahës të opozitës së djathtë, të ardhur dhe nga qytete të tjera të vendit, iu bashkuan sot thirrjes së partisë demokratike për të protestuar kundër qeverisë në ditën kur vendi kujton, rrëzimin 23 vite më parë të bustit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin Skënderbej. Marshimi i opozitës nisi pikërisht nga ky shesh, për t’u ndalur pranë selisë së qeverisë ku që përpara nisjes së marshimit ishte vendosur një kordon me punonjës policie, shumica femra, ndërsa dhjetra makina të policisë ishin stacionuar në zonën përreth.
Në duart e protestuesve ishin pankarta ku qeverisë i kujtoheshin premtimet e saj, ndërsa ato gjendeshin të shkruara edhe në shumë tollumbace që shërbyen si sfond i podiumit nga ku foli kryetari i partisë demokratike Lulëzim Basha sipas të cilit “vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm”. Opozita tha ai do të jetë “barrikadë vendimtare kundër përqëndrimit të pushtetit, blerjes së pushtetit, pushtimit të pushtetit nga mafia, kundër kthimit pas, kundër rrënimit të ekonomisë dhe europianizmit”. "I drejtojmë sot qeverisë Rama-Meta nga ky marshim madhështor proteste, dhe nga cdo shtëpi e zemër shqiptare paralajmërimin: mos luani më asnjë sekondë me kushtetutën, mos luani më asnjë sekondë me ligjin dhe vendimet e gjykatave, mos luani më asnjë sekondë me institucionet e pavaruara, mos luani më asnjë sekondë me konsensusin, mos luani më asnjë sekondë me statusin”, u shpreh zoti Basha.
Ai paralajmëroi se opozita do të zbresë sërish në sheshe e rrugë për të protestuar ndaj një përkeqësimi të përditshëm të situatës: “Ka një zgjidhje, sheshi, marshimet, protestat popullore, qytetarët në këmbë. Për t’i drejtuar qeverisë me fuqinë e zërave të bashkuara, paralajmërimin dhe urdhërin e sovranit: Lëre propagandën, lëri përrallat, iku koha e përrallave, fillo punën ose përndryshe largohu. Eshtë marrëzi se shqiptarët mund dhe do të pranojnë një qeveri që i drejton nga dështimi në dështim dhe të presin katër vjet”.
Sipas kryeministrit Edi Rama, i cili ndërhyri gjatë punimeve të sotme të parlamentit, opozita ka zgjedhur rrugën protestave sepse i dhemb ikja nga pushteti dhe se sipas tij ka shumë për të fshehur: “Edhe këtë ngut të madh për të shkuar në këtë rrugë, që është e drejta juaj, por që në fakt është shprehja më e qartë e së vërtetës se jeni mbërthyer nga dhimbje të madhe nga humbja e atij pushteti, e keni ndërmarrë pikërisht për këtë, se keni shumë për të fshehur. Ndërsa ne nuk po bëjmë asgjë tjetër, vecse dita ditës, atë për të cilën jemi votuar. Në fund sigurisht vendos populli dhe me shpejt se vonë do të vendosë edhe drejtësia”.
Jeta politike në Shqipëri ka kohë që është e tensionuar. Edhe seanca e sotme e parlamentit ishte dëshmi e acarimit të fortë mes palëve. Debatet sot u nxitën nga nisma e shumicës për shkarkimin e drejtueses së inspektoriatit të lartë të verfikimit të pasurive Zana Xhuka, Sipas opozitës kjo po bëhet në shenjë hakmarrje psi ajo kishte kërkuar verifikimin e pasurive të kryeministrit dhe bashkëshortit të saj. Pretendim i hedhur poshtë nga zoti Rama. Shumica konsideroi se zgjedhja e saj në janarin e vitit të shkuar ishte bërë në kundërshtim me ligjin dhe rivotoi edhe një herë dekretin e lëshuar atë kohë nga presidenti, me dy kandidaturat, atë të zonjës Xhuka dhe kandidatit tjetër Shkëlqim Ganaj, i cili mori pëlqimin e parlamentit vetëm me votat e të majtëve, ndërkohë që opozita ndodhej në protestë.
XS
SM
MD
LG