Lidhje

Shqipëri, nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të shtetit


Polemika në sallë mes shumicës dhe opozitës. Në mbrëmje kryeministri Sali Berisha mbledh kryesinë e PD

Në Shqipëri parlamenti vendosi sot që votimi i parë për presidentin e ardhshëm të vendit të mbahet javën e ardhshme më 30 maj. Rreth procesit për kreun e ri të vendit pati sot sërish polemika mes shumicës dhe opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar socialist tha se opozita kërkon një president që të mos jetë as i demokratëve dhe as i socialistëve duke kujtuar ftesën që kryetari socialist ka bërë për hapjen e bisedimeve mes palëve. Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha do të mbledhë në mbrëmje kryesinë e partisë së tij, për të nisur më pas bisedimet me aleatët. Do të jetë një proces i negociueshëm dhe kushtetues, deklaroi kryeministri.

Të mërkurën e ardhshme në orën 10 parlamenti do të mblidhet për votimin e parë për presidentin e ri të vendit. Kushtetuta parashikon 5 raunde votimesh nga të cilat tre të parat me një shumicë të cilësuar dhe dy të fundit me një shumicë të thjeshtë. Deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare. Afati i paraqitjes është 24 orë përpara votimit, në mënyrë që komisioni i ligjeve të verifikojë përputhshmërinë me kriteret. Por edhe nëse nuk do të ketë kandidatë, votimi, sipas kushtetutës, do të cilësohet i kryer e më pas do të duhet të caktohet brenda 7 ditëve të ardhshme data e raundit të dytë.

Socialistët kanë këmbëngulur që në fillim për një proces dialogu mes palëve që të çojë në zgjedhjen e një presidenti që sipas tyre nuk duhet të jetë noteri i një partie, duke refuzuar kategorikisht idenë e një presidenti të Partisë Demokratike. Polemikat nuk munguan as sot në sallën e parlamentit mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci.

“Ne kemi deklaruar që duam të zgjedhim presidentin e vendit, jo presidentin as të PD-së, as të PS-së. Prandaj ju kemi kërkuar një proces për këtë çështje. Por ju për të shmangur këtë përgjegjësi në mosrealizimin e këtij procesi në planin moral dhe politik dhe pastaj procedural dhe kushtetues spekuloni mediatikisht dhe bëni diversione në radhët e opozitës. Këto nuk ju shkojnë”, tha zoti Ruçi.

Kryeministri Berisha ju përmbajt asaj që kish deklaruar dhe më parë se negociatat do të nisnin në momentin e hapjes së procedurave.

“Me Kushtetutën e vendit sot është hapur procedura. Unë nuk jam për "show". Jam për një proces që e kam deklaruar, të negociueshëm dhe kushtetues. Sigurisht e kam deklaruar dhe e pohoj se në Partinë Demokratike ka personalitete të shquara të këtij vendi, të cilat janë të afta me përkushtimin e tyre t’i shërbejnë vendit. Doni ju të them se do propozoj një personalitet të PS? Ajo është detyruara juaj ta propozoni, jo e imja. Nuk bëj unë hipokritin, as maskën. Por them se është një proces i negociueshëm dhe kushtetues”, tha zoti Berisha.

Në mbrëmje kryeministri do të mbledhë kryesinë e partisë së tij për të marrë mandatimin e saj për nisjen e negociatave, të cilat fillimisht do të jenë me aleatët e saj. Ky do të jetë edhe një moment i rëndësishëm për të ardhmen e procesit. Aleati kryesor, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur publikisht se është kundër një presidenti të zgjedhur me shumicë të thjeshtë, ndërsa kryetari i saj Ilir Meta ka patur deri më tani dy takime me kryetarin socialist Rama. Katër votat e LSI-së janë përcaktuese, pasi pa ato kryeministri nuk e ka teorikisht shumicën prej 71 votash.

Nga komuniteti ndërkombëtar thirrja e përbashkët ka qenë ajo e zgjedhjes së një figure që të përfaqësojë unitetin e popullit. Edhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës Tjorborn Jagland, i cili ndodhej sot për vizitë në Tiranë, me rastin e marrjes nga Shqipëria të presidencës së radhës së këtij institucioni, u shpreh për një proces bashkëpunimi në zgedhjen e kreut të shtetit shqiptar.

“Eshtë shumë e rëndësishme që kryetari i shtetit të dalë nga një procedurë transparente dhe nga një qasje bashkëpunuese mes aktorëve kryesorë politikë”, tha ai.

Por tensionit mbi zgjedhjen e presidentit i shtohet dhe mospërmbushja e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. Të dyja palët ngjajnë të jenë përfshirë në një dialog mes shurdhësh ku fajësojnë njëra tjetrën. Rreziku i ndërhyrjes së interesave mes këtyre proceseve është i lartë e mund të ndodhë ajo që komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle tha se i druhej, pra se ”marrëveshja e nëntorit në vend të jetë pjesë e zgjidhjes, mund të kthehet në pjesë të problemit”.
XS
SM
MD
LG