Lidhje

Shqipëri:Të ardhurat vjetore mbi 20 mijë dollarë do të tatohen


Parlamenti shqiptar diskutoi sot një ndryshim ligjor, sipas të cilit, çdo individ me të ardhura bruto vjetore deri në 20 mijë dollarë amerikanë do të tatohet 10 për qind. Kufiri prej 20 mijë dollarësh përcaktohet për qytetarët që sigurojnë të ardhura nga pagat, interesat dhe qeratë. Në rast se zbresin nën këtë nivel, atëherë ata përjashtohen menjëherë nga ky tatim mbi të ardhurat.

Ndryshimi ligjor lidhet me deklaratën individuale vjetore të të ardhurave, e cila përbën një tjetër reformim të sistemit financiar e tatimor të vendit. Tatimi i të ardhurave vjetore mbi 20 mijë dollarë parashikohet të prekë një numër jo të madh njerëzish. Kryesisht ata vijnë nga administrata e lartë shtetërore, drejtues të bizneseve private dhe individë që zotërojnë objekte me qera të larta. Pjesa dërrmuese e popullatës përjashtohet vetvetiu nga ky detyrim për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave.

Deputetët e opozitës u shprehën kundër këtij ndryshimi ligjor. Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se “papunësia dhe varfëria janë në rritje. Administrata tatimore dhe sistemi financiar nuk janë të qëndrueshëm, e këtë e tregon edhe ndryshimi i shpeshtë i ligjeve ekonomike”. Ndërsa ministri i financave Ridvan Bode, tha se Shqipëria është një rast suksesi për institucionet financiare ndërkombëtare sepse me taksa dy herë më të ulta, mblodhi të ardhura dy herë më të larta. “Ulja e taksave shtoi subjektet e rregullta paguese. Informaliteti në ekonomi po ulet nga verifikimi më i mirë i të dhënave, sepse tani askush nuk ka mundësi të falsifikojë fitimet, të ardhurat apo të fshehë pasuritë” - tha ai.

Ekonomia po bëhet përherë e më shpesh temë e debateve mes partive politike. Opozita propozoi sistemin progresiv të taksave, ndërsa qeveria po përdor taksën e sheshtë. Ky vit mendohet të jetë i vështirë për të gjithë bizneset dhe qytetarët, portofolet e të cilëve po përballen edhe me rritje cmimesh të produkteve bazë.

XS
SM
MD
LG