Lidhje

Shtëpia e Bardhë fokusohet tek lufta kundër terrorizmit të brendshëm


Anëtarë të grupit Proud Boys dhe demonstrues të tjerë të krahut të djahtë duke protestuar në Portland, Oregon (26 shtator 2020)
Anëtarë të grupit Proud Boys dhe demonstrues të tjerë të krahut të djahtë duke protestuar në Portland, Oregon (26 shtator 2020)

Frika se një numër amerikanësh po radikalizohet po e shtyn administratën e Presidentit Joe Biden të shqyrtojë më nga afër përpjekjet për të kundërshtuar ekstremizmin e brendshëm dhe nëse po bëhet mjaftueshëm.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki njoftoi për ndryshime në përqasjen e vendit ndaj terrorizmit të brendshëm të premten, duke përmendur sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

"Vdekjet tragjike dhe shkatërrimi që ndodhën nënvizuan atë që kemi njohur prej kohësh - ngritja e ekstremizmit të dhunshëm në vend është një kërcënim serioz dhe në rritje i sigurisë kombëtare", u tha zonja Psaki gazetarëve, duke e quajtur përpjekjen e re "vetëm hapin e parë".

"Administrata Biden do të përballet me këtë kërcënim me burimet dhe vendosmërinë e nevojshme", shtoi ajo.

Si pjesë e ndryshimeve, Presidenti Biden të premten ngarkoi drejtoren e zbulimit kombëtar për të punuar me Byronë Federale të Hetimit dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të kërcënimit.

Vlerësimi do të bazohet në analiza nga agjensitë qeveritare dhe organet e zbatimit të ligjit, si dhe ekspertë privatë, sipas nevojës.

'Analizë e bazuar në fakte'

"Kryesorja këtu është se ne duam një analizë të bazuar në fakte", tha zonja Psaki. "Jemi të përkushtuar për zhvillimin e politikave dhe strategjive të bazuara në fakte, analiza objektive dhe rigoroze, dhe respektimin e fjalës së lirë dhe veprimtarisë politike të mbrojtur nga kushtetuta".

Psaki tha se Shtëpia e Bardhë po kërkonte gjithashtu të forconte aftësinë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për t'iu kundërvënë ekstremizmit të brendshëm duke përmirësuar rrjedhën e informacionit midis agjensive qeveritare, duke mbështetur programe për të parandaluar radikalizimin dhe duke parë mënyrat për të prishur rrjetet e brendshme ekstremiste.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të shikojë gjithashtu rolin e mediave sociale, tha ajo.

Sipas Programit për Ekstremizmin në Universitetin George Washington, më shumë se 130 persona po përballen me akuza federale në lidhje me trazirat dhe rrethimin e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Një anëtar i Texas Guerrillas, i cili përdor pseudonimin "Apex"(i treti nga e djathta), dhe të tjerë duke mbajtur armë gjatë një proteste Black Lives Matter në Teksas (1 gusht 2020)
Një anëtar i Texas Guerrillas, i cili përdor pseudonimin "Apex"(i treti nga e djathta), dhe të tjerë duke mbajtur armë gjatë një proteste Black Lives Matter në Teksas (1 gusht 2020)

Qendra Ligjore e Jugut për Varfërinë i tha Zërit të Amerikës javën e kaluar se ngjarja tërhoqi mbështetës ose simpatizantë nga mbi 12 grupe ekstremiste, duke përfshirë grupe ekstremiste të djathta dhe supremaciste të bardha, të tilla si Proud Boys dhe Boogaloo Bois.

Studiues të tjerë thanë se grupe më pak të njohura gjithashtu duket se ishin përfshirë, ashtu si anëtarët e milicive të ndryshme.

Ka pasur gjithashtu shqetësime në rritje në lidhje me aftësinë e ekstremistëve të brendshëm për të infiltruar në ushtri dhe forcat e zbatimit të ligjit.

"Ne e pranojmë qartazi kërcënimin nga ekstremistët e brendshëm, veçanërisht ata që mbështesin supremacinë e bardhë ose ideologjitë e bardha nacionaliste", tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes javën e kaluar.

"E dimë se disa grupe përpiqen në mënyrë aktive të rekrutojnë personelin tonë në kauzën e tyre ose realisht inkurajojnë anëtarët e tyre të futen në ushtri me qëllim që të përvetësojnë aftësitë dhe përvojën", shtoi zyrtari, duke thënë se ndërsa ai nuk kishte ndonjë të dhënë specifike, duket se numri i rasteve ishte në rritje.

Largohen 12 anëtarë të Gardës

Përpara inaugurimit të zotit Biden të mërkurën, Garda Kombëtare e Shteteve të Bashkuara njoftoi se po largonte 12 ushtarakë nga funksionet e sigurisë, për shkak të sjelljes së papërshtatshme ose lidhjeve ekstremiste.

Shqetësimet në lidhje me ekstremistët e brendshëm në ushtri gjithashtu kanë marrë vëmendjen e Sekretarit të Mbrojtjes të sapo konfirmuar Lloyd Austin.

"Puna e Departamentit të Mbrojtjes është ta mbajë Amerikën të sigurt nga armiqtë tanë, por ne nuk mund ta bëjmë këtë nëse disa prej atyre armiqve qëndrojnë në radhët tona", u tha zoti Austin ligjvënësve të martën gjatë seancës dëgjimore për konfirmimit e tij. "Ky [ekstremizmi] nuk ka vend në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, duke folur gjatë seancës për konfirmimin e tij
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, duke folur gjatë seancës për konfirmimin e tij

Në një letër dërguar ushtarakëve të premten, dita e tij e parë në Pentagon, Sekretari Austin u bëri thirrje ushtarakëve për të jetuar në përputhje me "vlerat tona thelbësore, të njëjtat që bashkëqytetarët tanë presin nga ne".

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se disa ekstremistë të brendshëm po marrin inkurajim nga qeveritë e huaja.

"Unë kam parë sigurisht përdorimin e masave aktive të Rusisë në një larmi fushatash për të përkeqësuar ndasitë në këtë vend dhe për të promovuar në një kuptim ekstremizmin", u tha ligjvënësve Drejtorja e re e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines, gjatë seancës së saj të konfirmimit më parë këtë javë.

Studime të reja sugjerojnë gjithashtu se lëvizjet ekstremiste në Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të lidhura me lëvizje të ngjashme në vendet e tjera, duke përfshirë Finlandën, Francën, Gjermaninë, Suedinë dhe Britaninë.

"Gjatë viteve të fundit, është shfaqur një lëvizje e re e krahut të djathtë ekstrem pa udhëheqje, transnacionale, apokaliptike dhe e dhunshme", tha Hans-Jakob Schindler, drejtori i Projektit Kundër Ekstremizmit.

"Lëvizja e krahut të djathtë ekstrem është e lidhur me udhëtime të shpeshta ndërkombëtare, me aktivitete të muzikës dhe arteve marciale, si dhe marshime dhe tubime", tha zoti Schindler të premten gjatë një seminari në internet në lidhje me studimin më të fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG