Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbështet të drejtën për të votuar


Marc Morial, drejtues i Qendrës Urbane Kombëtare, flet me gazetarët në hyrje të Shtëpisë së Bardhë pas takimit me Presidentin Biden

UASHINGTON - Ndërsa përballet me thirrjet për të "shpëtuar demokracinë amerikane", administrata e Presidentit Biden paraqiti të enjten përpjekje të reja për të ndihmuar për mbrojtjen e të drejtave të votimit, mes ankesash në rritje nga aktivistët e të drejtave civile dhe disa demokratëve se Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë sa duhet për të luftuar përpjekjet nga organeve ligjvënëse në shtetet e udhëhequra nga republikanët për të kufizuar mundësinë e votimit.

Presidenti Joe Biden u takua me udhëheqësit e të drejtave civile në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris njoftoi 25 milionë dollarë në fonde të reja nga Komiteti Kombëtar Demokrat për të mbështetur përpjekjet për të mbrojtur qasjen tek vota përpara zgjedhjeve që perkojnë me mesin e mandatit të një presidenti e që mbahen në vitit 2022.

Presidenti Biden dhe ekipi i tij kanë përmendur përpjekjet e vazhdueshme ligjore dhe kanë premtuar vazhdimisht një iniciativë madhore legjislative për të drejtën e votës, pasi republikanët e Senatit bllokuan një projektligj me efekt të gjerë të reformës zgjedhore muajin e kaluar. Presidenti javën e kaluar u tha gazetarëve se ai kishte në plan të "fliste gjerësisht" për të drejtën e votës dhe se ai do të "fillonte një fushatë për këtë çështje".

Deri më tani, nuk është mbajtur ndonjë fjalim madhor dhe as është zhvilluar ndonjë udhëtim i rëndësishëm, duke shkaktuar kështu një rritje të zhgënjimit mes anëtarëve të partisë së tij që e shikojnë shtypjen e Partisë Republikane të të drejtave të votimit si një kërcënim ekzistencial për demokratët dhe demokracinë.

Ky presion vetëm u rrit pasi një vendim i Gjykatës së Lartë kufizoi aftësinë e pakicave për të sfiduar ligjet e shtetit për të cilat demokratët thonë se janë diskriminues sipas Ligjit për të Drejtat e Votimit. Presidenti Biden ka sjellë aktivistë të jashtëm për takime në Shtëpinë e Bardhë dhe është konsultuar me këshilltarët për strategjinë më të mirë për të luftuar ligjet e reja kufizuese.

"Nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për të shpëtuar demokracinë amerikane", tha Marc Morial, kreu i Lidhjes Kombëtare Urbane, ndërsa u shfaq përkrah Pastorit Al Sharpton dhe udhëheqësve të tjerë të të drejtave civile pas takimit. ”Ky është sulm ndaj një vlere shumë themelore tek e cila mbështetet ky vend. Kur shikojmë se çfarë po ndodh në këtë vend, ne shohim një përpjekje për të imponuar një sistem, një aparteid amerikan".

Gjatë takimit, Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris e siguruan udhëheqësin e të drejtave civile se do ta shtyjnë Kongresin të kalojë legjislacionin për të drejtat e votës, ndërkohë që do të bëjnë gjithçka që është në dorën e administratës për të siguruar pjesëmarrjen e plotë të votuesve në zgjedhje, thuhet në një material të qarkulluar nga Shtëpia e Bardhë.

Fjalimi i së enjtes nga Nënpresidentja Harris, e ngarkuar për të udhëhequr përgjigjen e administratës ndaj sfidave të të drejtave të votimit, pritej të ishte i pari në një seri aktivitetesh të saj mbi këtë çështje dhe ndihmësit po diskutojnë për një fjalim të Presidentit Biden, ndoshta që javën e ardhshme, thanë në kushte anonimiteti dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë që nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për diskutimet e brendshme.

Nënpresidentja Harris duke folur për të drejtën e votës
Nënpresidentja Harris duke folur për të drejtën e votës

"Kjo fushatë është e bazuar në besimin e vendosur se vota e të gjithëve ka rëndësi - se vota juaj ka rëndësi", tha Nënpresidentja Harris. "Ne duam të ndihmojmë për t'u siguruar se vota juaj do të llogaritet, dhe kjo sepse demokracia jonë është më e fortë kur të gjithë marrin pjesë".

Disa shtete kanë miratuar ligje të reja të votimit dhe të tjerët po debatojnë për to, pasi republikanët kanë shfrytëzuar pretendimin e rremë të ish-Presidentit Donald Trump për manipulim masiv elektoral në zgjedhjet e vitit 2020 si një pretekst për miratimin e legjislacionit të ri që kufizon qasjen tek procesi i votimit.

Demokratët janë bërë gjithnjë e më nervozë se ligjet e reja mund të dekurajojnë pjesëmarrjen për zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm, kur kjo parti do të përpiqet të ruajë maxhorancën shumë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit.

"Njerëz, nuk është kurrë shumë herët për të mbrojtur të drejtat tuaja", tha Nënpresidentja Harris. "Me këto ligje të reja që janë miratuar, ose që ata po përpiqen të miratojnë, ne duhet t'ia fillojmë që tani që të mbërrijmë të fortë ne fund".

Por disa demokratë dhe aktivistë të të drejtave të votimit besojnë se Shtëpia e Bardhë nuk filloi aq shpejt sa duhej.

“Jemi me shpatulla pas murit. Ky është momenti. Nuk kemi më kohë”, tha Sherrilyn Ifill, presidente e Fondit të Mbrojtjes Ligjore NAACP. "Unë i thashë presidentit: Ne nuk do të jemi në gjendje të gjejmë rrugën ligjore për të dalë nga ky kërcënim për shtetësinë e afrikano-amerikanëve".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG