Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbron qëndrimin ndaj Libisë


Shtëpia e Bardhë mbron qëndrimin ndaj Libisë
Shtëpia e Bardhë mbron qëndrimin ndaj Libisë

Administrata e Presidentit Obama e mbrojti qëndrimin e saj të qëllimshëm për të formuluar një strategji politike për Libinë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhej Karni thotë se Presidenti Barak Obama dhe administrata e tij kanë vepruar me “urgjencën më të madhe” rreth luftimeve në Libi.

Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, gazetarët pyetën nëse presidenti po merr shumë kohë për të marrë një vendim, duke mundësuar forcat e udhëheqësit libian Muamer Gadafi që të mundin luftëtarët rebelë.

Zëdhënësi Karni u tha gazetarëve se presidenti po mundohet të sigurojë që çdo lloj vendimi që të marrë, përfshirë mundësinë e vendosjes së një zone ndalim-fluturimi mbi Libi, të jetë vendim i drejtë.

“Nuk besoj se populli amerikan do të dëshironte që presidenti të vepronte në menyrë të njëanëshme duke përdorur ushtrinë pa shqyrtuar me kujdes se cilat do të ishin pasojat dhe synimet e këtij veprimi.”

Zëdhënësi i presidentit tha se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të veprojnë në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.

“Veprime të tilla do të konsiderohen dhe ndërmerren, nëse vendoset keshtu, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë sepse është shumë e rëndësishme për mënyrën se si reagojmë ndaj situatave si ajo e Libisë në mënyrë që reagimi të jetë ndërkombëtar dhe jo i njëanshëm, që përfshin mbështetjen dhe pjesëmarrjen për shembull të Lidhjes Arabe dhe organizatave dhe vendeve të tjera në rajon.”

Zëdhënësi Karni tha se administrata e Presidentit Obama do të mbështetet tek Kombet e Bashkuara si një forum për shqyrtimin e çdo lloj mundësie që presidenti do të zgjedhë.

Dita e martë shënoi afatin kohor për planet e një zone ndalim fluturimi që do t’i paraqitej Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior. Këshilli i NATO-s pritet që të marrë sot në shqyrtim planet në fjalë. Zëdhënësi Karni tha se nuk besonte se vënia e një zone ndalim fluturimi apo veprime të tjera ushtarake në Libi do të kërkonin miratimin e Kongresit amerikan. Ai tha se nëse merret masa e kufizimit të fluturimeve ndaj forcave libiane, kjo masë do të përbënte një “verpim serioz”.

XS
SM
MD
LG