Lidhje

Shtëpia e Bardhë publikon çertifikatën e lindjes të Presidentit Obama


Barack Obama, birth certificate
Barack Obama, birth certificate

Presidenti Obama tha se Shtëpia e Bardhë ka publikuar sot në faqen e saj në internet çertifikatën e tij të lindjes, të plotë, ngaqë ajo është vënë në pikëpyetje kohët e fundit, duke shpërqëndruar vëmendjen e publikut nga çështje të rëndësishme.

Presidenti tha se vendi ndeshet me sfida të jashtëzakonshme dhe se ai ka gjëra të tjera për të bërë, në vend që të merret me thëniet që ai i cilësoi budallallëqe, si psh se ai nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Obama tha se edhe pas publikimit të këtij informacioni, ai është i bindur se përsëri do të ketë disa njerëz, të cilët do të vazhdojnë me spekullime.

Në çertifikatën e publikuar sot, thuhet që Presidenti Obama ka lindur më 4 gusht të vitit 1961 në shtetin amerikan të Hawait, ishull në Oqeanin Paqësor.

Një grup personash thonë se Presidenti nuk ka dhënë prova të mjaftueshme se ka lindur në Shtetet e Bashkuara, një kusht për t’u zgjedhur President.

Mes tyre është biznesmeni Donald Trump, i cili kryeson anketimet si kandidati i mundshëm për president i Partisë Republikane në zgjedhjet e 2012. Tani zoti Trump po thotë se ishte meritë e tij që Presidenti Obama u detyrua të publikonte çertifikatën e lindjes.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e kaluara presidenciale, në vitin 2008, zoti Obama publikoi një variant të shkurtër të çertifikatës së tij të lindjes.

XS
SM
MD
LG