Lidhje

Shtëpitë e Kalifonisë përqafojnë stilin neutral të hoteleve


Shtëpitë e Kalifonisë përqafojnë stilin neutral të hoteleve
Shtëpitë e Kalifonisë përqafojnë stilin neutral të hoteleve

Agjentët imobiliarë në Shtetet e Bashkuara thonë se njerëzit tani po kërkojnë shtëpi, me dhoma të lyera me bojëra neutrale, me stile të thjeshta dhe një ndjesi paqeje dhe qetësie. Sipas atyre që ndjekin prirjet e shitjes së shtëpive, sa më shumë ambjentet e një shtëpie i ngjajnë një dhome hoteli me pesë yje, aq më tërheqëse bëhen ato për blerësit.

Këto shtëpi kanë pishina me shatërvane dhe dhoma me dizenjo bashkëkohore me pamje të qetë dhe të rregullt, gjithçka me synimin për të krijuar një ndjesi të përgjithshme mirëqenieje të ngjashëm me një hotel me pesë yje.

Eksperti i dizenjos së shtëpive të yjeve të Hollivudit, Majkëll Korbet është korrespondent për televizionin NBC dhe autor i disa librave për shitblerjen e shtëpive. Ai thotë se prirja tani është shmangia e personalizimit të tepruar të shtëpive në favor të një dekori me ngjyra neutrale dhe një stili për gjithë shtëpinë.

Korbet thotë se kërkesa e vazhdueshme është që shtëpitë të kenë një atmosferë të paqshme të ngjashme me atë që ofron Budizmi dhe meditimi.

“Kur shkon në një hotel luksoz, si Four Seasons apo Ritz Carlton, ke një ndjesi paqeje dhe qetësie. Çdo gjë është në tone neutrale. Dhe shumë njerëz sidomos duke pasur parasysh se sa intensive është jeta këtu në Hollivud, duan të kenë një ndjenjë qetësie në shtëpi. Dhe shumë njerëz duan të ndjehen sikur po bëjnë pushimë në shtëpinë e tyre”.

Dhe përveç ndjesisë personale, ky lloj stili modern është vendim i mirë edhe për vlerën e shtëpisë kur ajo hidhet në treg.

“Mendoj se është një prirje fantastike, jo vetëm se i jep shtëpisë një pamje qetësie dhe një dekor shumë të hijshëm, por i shton edhe vlerën, sepse kur e shet shtëpinë, një nga gjërat që unë sugjeroj është ta shohësh si një hotel me pesë yje. Ti do që njerëzit që vijnë ta blejnë ta shohin dhe të thonë: ‘Unë mund të jetoj këtu, është një shtëpi e mrekullueshme dhe të duket sikur je në një hotel me pesë yje’”.

Majkëll Libou është agjent imobiliar për kompaninë Coldwell Banker që merret me shitblerje shtëpish në Beverly Hills.

“Në shtëpitë moderne, shumë njerëz duan një pamje paqeje të ngjashme më ambjentet e meditimit. Një nga arsyet është se njerëzit janë shumë të ngarkuar me punë dhe bëjnë jetë intensive. Duan që kur të vijnë në shtëpi, të gjejnë qetësi. Për ta krijuar këtë ndjesi në një shtëpi moderne kur jeta jashtë është shpesh e ashpër, duhet një pamje jo shumë e ngarkuar, por në të njëjtën kohë, e ngrohtë”.

Organizatori i mbrëmjeve dhe festave të yjeve Colin Cowie thotë se jo vetëm që shtëpitë po zbukurohen si hotele, por edhe hotelet po mobilohen si shtëpi private.

“Mendoj se funksionon nga të dyja drejtimet. Krevatin e parë që bleva në Neë York e mora tek Four Seasons, sepse ishte më i rehatshmi. Tani hotelet po bëjnë të kundërtën, po blejnë mobilje të rehatshme si ato të shtëpive. Kur hyn në këto dhoma hoteli të duket sikur hyn në shtëpi”.

Në Los Angeles, Hoteli modern SLS bën të gjitha përpjekjet që dhomat të duken si shtëpi bashkëkohore, me të gjithë artikujt luksozë që gjenden në shtëpi.

Në hotelin Four Seasons në Beverly Hills dhomat duken sikur janë pjesë e një vile elegante, me tone të ngrohta që reflektojne dritën e diellit të Kalifornisë Jugore. 285 dhomat dhe suitat kanë dyer të mëdha me xhama që të çojnë në një ballkon me pamjet e kopshteve, kodrave të Hollivudit, Los Anxhelesit apo Beverly Hillsit.

Ndërsa në hotelin Montage në Beverly Hills, 55 suitat dhe 201 dhomat janë të dizenjuara me idenë për të krijuar një ambjent të qetë urban ku klientët mund të shijojnë elegancën çlodhëse.

Ka një shprehje që thotë se nuk ka si shtëpia, por në Hollivud dhjetra hotele po përpiqen pikërisht t’i bëjnë dhomat që t’u ngjajnë shtëpive.

XS
SM
MD
LG