Lidhje

Shtetet e Bashkuara përpiqen të izolojnë rrjetin energjitik nga sulmet kibernetike


Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm gjatë një dëshmie në Senat

SHTËPIA E BARDHË - Ndërsa infrastruktura amerikane e rrjetit elektrik goditet rëndë çdo ditë nga një numër i paprecedent sulmesh kibernetike, qeveria federale po merr masa për të parandaluar një sulm të mundshëm me efekte shkatërrimtare ndaj rrjetit.

Një plan prej 100 ditësh u njoftua të martën nga Departamenti amerikan i Energjisë për forcimin e sistemeve të sigurisë të infrastrukturës elektrike të vendit dhe rritjen e aftësisë për të pikasur dhe neutralizuar kërcënimet kibernetike.

"Shtetet e Bashkuara përballen me një kërcënim kibernetik të mirëdokumentuar dhe në rritje, nga aktorë keqdashës që kërkojnë të ndërpresin elektricitetin nëpërmjet të cilit ne amerikanët furnizojmë me energji shtëpitë dhe bizneset tona", tha në një deklaratë Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm. "I takon qeverisë dhe industrisë të parandalojnë dëmet e mundshme - prandaj po punojmë së bashku për të marrë këto masa vendimtare në mënyrë që amerikanët të mund të mbështeten në një sistem të sigurtë, të qëndrueshëm dhe të pastër energjie".

Industria elektrike ishte ndër objektivat e sulmeve të fundit kibernetikë dhe ndërhyrjes në të dhënat nëpërmjet programeve të kompanisë SolarWinds dhe programit Microsoft Exchange, por zyrtarët thonë se momenti i përzgjedhur për bërjen e kësaj deklarate të martën nuk është i ndërlidhur me këto ngjarje.

Qeveria amerikane ka fajësuar zbulimin rus për sulmin ndaj kompanisë SolarWinds. Kompania Microsoft tha se dobësitë në programin e saj të postës elektronike dhe të kalendarit për të dhënat e korporatave dhe qeverisë u shfrytëzuan kryesisht nga grupi i ashtuquajtur Hafnium, në Kinë.

Enti rregullator që mbikqyr rrjetet energjitike në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, "The North American Electric Reliability Corporation", tha se rreth 25% e rrjeteve elektrike në Amerikën e Veriut kanë marrë programin e fshehur brenda përditësimeve të kompanisë SolarWinds.

"Për shkak të sulmeve të sofistikuara dhe gjithnjë në evoluim nga kundërshtarët, kompanitë elektrike të Amerikës vazhdojnë të jenë të fokusuara tek siguria e sistemeve industriale të kontrollit që menaxhojnë rrjetin energjitik të Amerikës së Veriut", tha Tom Kuhn, president i Institutit Elektrik Edison, i cili përfaqëson të gjitha kompanitë elektrike në pronësi të investitorëve amerikanë.

Zoti Kuhn tha se iniciativa e re është e vlerësuar dhe tregon se "administrata Biden po e bën prioritet të lartë sigurinë kibernetike për operacionet".

Njoftimi i së martës vjen pas disa kritikave të industrisë se në paketën e fundit të infrastrukturës të njoftuar nga Presidenti Joe Biden nuk ishin përfshirë fonde për sigurinë e rrjetit.

Plani 100-ditor përfshin "objektiva agresive, por të arritshme dhe do të ndihmojë pronarët dhe operatorët ndërsa ata modernizojnë mbrojtjen e sigurisë kibernetike, duke përfshirë rritjen e aftësive diktuese, zvogëlimit të pasojave dhe analizimit", tha në një deklaratë Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar Emily Horne.

Ekziston frika se një armik i Shteteve të Bashkuara ose një grup kriminal kibernetik mund të kopjojë atë që ndodhi në Ukrainë në 2015 kur sistemet e informacionit të tre kompanive të shpërndarjes së energjisë të vendit i komandoi nga larg Rusia, duke bërë që 200 mijë konsumatorë të humbnin energjinë. Një vit më vonë në Ukrainë, një stacion i transmetimit të energjisë u nxor jashtë linje nga hakerat rusë, të cilët ishin në gjendje të ndërprisnin energjinë, pasi vendosën programe keqdashëse në rrjetin e operatorit kombëtar.

"Siguria e popullit amerikan varet nga qëndrueshmëria e infrastrukturës kyçe të vendit tonë", tha Brandon Uells, drejtori në detyrë i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, pjesë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Zyrtarët e përshkruajnë këtë përpjekje për të forcuar sistemin e energjisë kundër sulmeve kibernetike si një projekt pilot i administratës së Presidentit Biden para se të miratohen masa të tilla për sektorë të tjerë të prekshëm të infrastrukturës së vendit.

Një raport i Zyrës së Llogaridhënies Qeveritare të lëshuar muajin e kaluar paralajmëroi se sistemet e shpërndarjes së rrjetit amerikan "po bëhen më të prekshme, pjesërisht sepse sistemet e tyre të kontrollit industrial lejojnë gjithnjë e më shumë qasjen në distancë dhe ndërlidhjen me rrjetet e biznesit".

Administrata e Presidentit Biden gjithashtu po heq një ndalim të përkohshëm për blerjen dhe instalimin e sistemeve të energjisë me shumicë që shërbejnë si sisteme kritike të mbrojtjes, ndërsa Departamenti i Energjisë merr mendimet e sektorëve të industrisë për një urdhër të ri ekzekutiv mbi udhëzimet për blerjen e pajisjeve.

Majin e kaluar, Presidenti i atëhershëm Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke e deklaruar "furnizimin e pakufizuar të pajisjeve të huaja të sistemit elektrik me shumicë" një "kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare". Urdhëri ekzekutiv kufizoi blerjet dhe përdorimin e pajisjeve të tilla të huaja.

Sistemi i ndërlidhur i energjisë me shumicë, përbëhet nga objektet e nevojshme për funksionimin e rrjetit të transmetimit të energjisë dhe ruajtjen e një ekuilibri të gjenerimit dhe kërkesës për çdo sekondë.

Presidenti Biden, në ditën e tij të parë në detyrë, pezulloi urdhrin e ish-Presidentit Trump për 90 ditë dhe udhëzoi Departamentin e Energjisë dhe Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit që "së bashku të shqyrtojnë nëse do të rekomandojnë që të nënshkruhet një urdhër zëvendësues".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG