Krapi aziatik, një lloj peshku i ardhur nga Kina në Shtetet e Bashkuara disa dekada më parë, është një shqetësim në rritje për shtetin qendror të Ilinoit. Prania e krapit aziatik në ujërat e këtij shteti është rritur mjaft vitet e fundit, duke pakësuar llojet e tjera. Autoritetet e Ilinoit shpresojnë ta zgjidhin situatën duke ndryshuar opinionin ndaj këtij peshku që ka marrë deri tani emër të keq.
Krapi aziatik që gjendet në lumin Ilinoi është një peshk i madh, i shumtë në numër, siç thotë Travis Loyd, zëvendës drejtor i Departamentit të Rezervave Natyrore të shtetit të Ilinoit:
“Është i shëmtuar. Ky peshk në më të shumtëm e rasteve nuk është i bukur”.
Por kryekuzhinieri nga shteti i Luizianës, Philippe Parola nuk është aspak dakord.
“Ky peshk është i paraqitshëm jo më pak se salmoni, ose trofta e liqenit, ose shumë të tjerë. Prandaj mos vazhdoni ta quani të shëmtuar, sepse nuk është i shëmtuar”.
Pavarësisht paraqitjes së peshkut, zoti Parola dhe kolegu i tij Tim Creehan janë bashkuar me zyrtarët e shtetit të Ilinoit në një fushatë për nxitjen e oreksit të publikut për krapin aziatik.
“Ne duhet t’u tregojmë njerëzve se ky peshk është mjaft i mirë në shije. Mund të përgatitet në mënyra të ndryshme, është një pjatë e paraqitshme dhe me vlera mjaft të mira ushqimore”.
Krapi aziatik konsumohet shumë në Kinë. Por shumica e preferuesve të peshkut në Shtetet e Bashkuara e shmangin atë, pasi e ngatërrojnë me krapin vendas. Krapi vendas është peshk lluce, dhe ushqehet me mbetjet në fund të ujit, prandaj njerëzit e shohin si të ndotur me mbetje toksike, përfshirë mërkurin. Por krapi aziatik, i cili në të vërtetë nuk është një lloj krapi, ushqehet me plankton dhe alga pranë sipërfaqes së lumenjve dhe liqeneve. Kjo është arsyeja pse ata shpesh shihen të hidhen mbi sipërfaqen e ujit.
Zoti Travis Loyd thotë se krapi aziatik është një peshk i pastër, me nivele të ulëta merkuri dhe i padëmshëm.
“Ne e kemi testuar. Nivelet janë në më të shumtën e rasteve zero dhe është peshk tërësisht i padëmshëm.”
Një tjetër arsye që i bën amerikanët të shmangin ngrënien e krapit aziatik është se ai ka shumë hala, është i vështirë të pritet në fileta dhe nuk shitet lehtë në tregjet e peshkut të freskët. Por kryekuzhinieri Creehan thotë se kur ky peshk gatuhet, halat nxirren me lehtësi, duke u dhënë kështu mundësi përpunuesve të ushqimeve ta paketojnë atë si ushqim të gatshëm. Për më tepër, thotë zoti Creehan, krapi aziatik ka një çmim të ulët.
“Çmimi mesatar i peshkut të detit është 13 dollarë për kilogram. Krapi aziatik kushton 26 deri 46 centë për kilogram. Pra ky peshk është shumë i leverdisshëm.”
Zoti Travis Loyd shpreson se një interes më i madh ndaj krapit aziatik si prodhim ushqimor do të rrisë sasitë e peshkuara nga ujërat e liqeneve dhe të degëve të lumit. Ai thotë se një gjë e tillë, jo vetëm do të ndihmonte mbijetesën e shumë lloje peshqish lokalë dhe do të ruante ekuilibrin e ndjeshëm të Liqenit të Madh por, do të sillte gjithashtu edhe një përmirësim ekonomik në një kohë kur papunësia në shtetin e Ilinoit është e lartë.
“Ne mendojmë se mund të krijohen shumë vende pune. Është diçka që mund të rikthejë peshkimin për tregtim në Ilinoi. Do të mund të ndihmonte padyshim në zgjidhjen e problemit të rezervave ushqimore nëse ne arrijmë të sigurojmë një prodhim ushqimor të mjaftueshëm për të furnizuar qendrat bamirëse, dhe mundësisht sistemet ushqimore të shkollave, të burgjeve, e të tjera si këto.”
Mund të duhet kohë përpara se konsumatorët të mund ta shohin krapin aziatik në menunë e restoranteve apo në frigoriferët e dyqaneve ushqimore. Në fakt, ata mund të mos e shohin aspak “krapin aziatik”, të paktën si emër, nëse kryekuzhinieri Parola arrin të realizojë planin e vet. Ai ka marrë ligjërisht ekskluzivitetin e fjalës “silverfin” ose ‘pendë-argjendi’ dhe shpreson që ky emër të ketë sukses në fushatën e cila synon t’i japë peshkut një imazh të ri.