Lidhje

Analisti Shtuni: Ballkani përballë ekstremizmit të dhunshëm

  • Ardita Dunellari

Studiuesi Adrian Shtuni e ka ndjekur prej vitesh problemin e ekstremizmit të dhunshëm në Ballkan. Ai punon nga afër me autoritetet amerikane që po ndihmojnë qeveritë e vendeve ballkanike ku shfaqet ky problem për të gjetur mënyra për ta luftuar problemin. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti Shtuni shjegon se problemi i ekstremizmit të dhunshëm kërkon një debat të hapur nga shoqëritë e prekura dhe një përpjekje serioze për ta luftuar problemin në fazat e radikalizimit dhe indoktrinimit të individëve nga ideologji të dhunshme:

Zëri i Amerikës: Zoti Shtuni, ju sapo jeni kthyer nga rajoni i Ballkanit. Ju, si studiues që e keni ndjekur problemin e ISIS prej vitesh, çfarë vërejtët këtë radhë? Si ka evoluar problemi?

Adrian Shtuni: Gjëja që është më problematike tani në rajon janë sulme të cilat u parandaluan nga organet e rendit në Kosovë, Shqipëri, në bashkëpunim me institucionet e huaja që merren me çështjet e sigurisë, në këtë rast që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ardhjen e kombëtares së futbollit të Izraelit për të luajtur në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Çfarë duhet të shohim tek arrestimet e fundit: sukses të forcave të rendit për ta ndjekur problemin, për të identifikuar personat e rrezikshëm, apo ndoshta një sinjal të kërcënimit për sulme të mundshme në të ardhmen?

Adrian Shtuni: Për mendimin tim, të dyja. Absolutisht që puna e bërë nga organet e rendit është për t’u duartrokitur në të gjitha drejtimet sepse kemi të bëjmë, me sa dimë deri tani, me tre sulme të sinkronizuara të cilat u parandaluan... Nga ana tjetër, ajo që është shqetësuese është që këto janë, siç doli qartë nga aksionet e fundit kundër-terrorizmit, këto ishin sulme që janë përgatitur, dhe porositur, në këtë rast, nga elementë, individë, të cilët janë anëtarë të grupeve terroriste shumë gjakatare që veprojnë në Siri dhe Irak. Pra jemi duke folur jo për një sulm apo disa sulme që janë të frymëzuara, por të drejtuara. Kjo tregon edhe shkallën e kompleksitetit të problemit.

Zëri i Amerikës: Ky problem a ka gjasa të rritet, ndërkohë që intesifikohen beteja ndërkombëtare kundër ISIS në Irak dhe Siri dhe shumë luftëtarë kthehen në vendet e tyre? Sa i madh është rreziku i celulave të fshehta, të heshtura që mund të kthehen e të presin momentin për komplote e sulme?

Adrian Shtuni: Po ta shikojmë në kompleksitet rrezikshmërinë, unë më tepër e shikoj rrezikshmërinë tek individët që ndoshta nuk kanë shkuar, pra nuk janë mobilizuar për të shkuar në fushat e betejës, por janë të rekrutuar, janë të radikalizuar dhe që operojnë brenda perimetrit të Ballkanit. Sepse po ta shikosh nga 24-25 individë që u arrestuan, 19 në Kosovë, 5 në Shqipëri dhe një ishte i Maqedonisë, vetëm tre rezultojnë se janë të kthyer. ...Por luftëtarët e huaj janë vetëm maja e ajsbergut. Këta individë që kanë shkuar atje nuk janë rritur në vakum, pra nuk janë fenomene të izoluara, individuale, por janë fryt i grupacioneve të caktuara që për një kohë relativisht të gjatë, po flas për grupet, jo për rastet specifike, kanë operuar në territoret e këtyre vendeve. Mjafton të shikosh në median sociale, që janë një dritare shumë e mirë për të vlerësuar saktësisht gjurmën, pra perimentrin e aktivitetit të këtyre organizatave, atëherë e kupton saktësisht se jemi duke folur për mijëra individë, të cilët jo vetëm e mbështesin ideologjinë e organizatave terroriste, por e shpërndajnë në mënyrë aktive dhe janë haptazi pjesëmarrës në aktivitete radikalizuese, rekrutuese.

Zëri i Amerikës: Atëherë përse nuk ka arrestime më të shumta? Ligji ekziston për njerëz që nxisin rekrutimet, që nxisin një ideologji të dhunshme.

Adrian Shtuni: Unë personalisht nuk mendoj se arrestimet janë metoda më e mirë për ta adresuar këtë problem. Ka mënyra të tjera për ta adresuar dhe për ta parandaluar. Pasi në momentin që arrin deri tek arrestimi jemi duke krijuar edhe një dimension tjetër problematik, i fusim ndividët në burgje, në ambjente të cilat, fatkeqësisht ne e dimë që nuk janë ambjente ku njerëzit gjejnë kohë që të rikuperohen, por ndoshta edhe radikalizohen më tepër. Nuk mendoj që arrestimet janë zgjidhje për këtë punë, përveç rasteve kur duhet kryer sepse është thyer ligji.

Zëri i Amerikës: Cila duhet të jetë zgjidhja me këta individë, derisa nuk mbështesni arrestimet?

Adrian Shtuni: Duhet që të ketë një aktivizim shumë më të madh të komuniteteve, të shoqërisë civile, të bashkësive fetare, të njerëzve të cilët duhet ta ndjejnë këtë si problem, i cili prek komunitetet e tyre... Njëra nga problematikAt që e shikoj si akute është mungesa e vetëdijes për këtë fenomen, ose nganjëhrë edhe mohimi i problematikës, gjë që nuk ndihmon as në parandalimin as në përballjen me fenomenin, sepse ky problem nuk ka për të ikur, qoftë edhe me shkatërrimin e një grupi, apo një grupi tjetër... Unë mendoj se stigmatizimi i individëve, automatikisht vetëm sepse mund të kenë një mjekërr më të gjatë apo mund i mbajnë pantallonat më të shkurtra, e ushqen problemin, krijon islamofobi, krijon stigmatizim, krijon narrativat ne-kundër-atyre. Nëse nuk diskutohen problematikat, ato do të mblidhen dhe do të krijojnë në vetvete probleme akoma më të mëdhaja dhe do të shfrytëzohen nga individë të cilët e instrumentalizojnë frustracionin, ndjenjat e dëshpërimit dhe të dështimit, të cilat nuk është se janë të panjohura për komunitetet ku jetojnë shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Zoti Shtuni, kush i financon këto njerëz? Nga vijnë këto fonde?

Adrian Shtuni: Është e vështirë t’i japësh një përgjigje definitive kësaj pyetjeje sepse nga të dhënat që kemi, nga informacionet që janë ndarë nga organet ligj-zbatuese del se ka burime të ndryshme financimi. Ajo që është më shqetësuese është se disa nga burimet financimi janë autoktone. Kemi parë arrestime në disa nga vendet që jemi duke folur, të individëve që kanë biznese, pronat e tyre që i kanë përdorur dhe i kanë vënë në shërbim të idealit. Kjo në vetvete nuk është e çuditshme, sepse njerëzit që besojnë në diçka, kanë për të gjetur mjetet për ta financuar atë në të cilën besojnë. Fillimisht, fenomeni ka qenë i importuar, dihet që ka ardhur nëpërmjet disa fondacioneve fetare, nën petkun e feve të ndryshme...Pra indoktrinimi ka ndodhur në mënyrë graduale. Nuk ka ndodhur brenda pesë vjetësh kur po e shohim fenomenin e luftëtarëve të huaj.

Zëri i Amerikës: Cili është faktori që ushqen këtë fenomen?

Adrian Shtuni: Po të futemi e t’i shikojmë të dhënat që kemi nuk na rezulton të ketë një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes mungesës së edukimit, apo mungesës së nivelit së nivelit ekonomik dhe rekrutimit, jo radikalizimit por numrit të njerëzve që kanë shkuar dhe janë mobilizuar që të luftojmë. Pra nuk e shikojmë një ndërlidhje të tillë; nuk shikojmë një shkak-pasojë.

Zëri i Amerikës: Si ka ndikuar kjo periudhë e gjatë tranzicioni, periudha e pas-luftës në Kosovë, problemet në Maqedoni për t’ia lehtësuar punën rekrutëve për të tërhequr individë në idealin e tyre.

Adrian Shtuni: Në bazë të indikatorëve që mund t’i masim, situata është përmirësuar edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, nëse flasim krahasimisht me 20 apo 30 vjet më përpara, pra në trajta relative. Por ka një ngecje edhe në perceptimet që jep populli lidhur me pritshmërinë. Kjo tregon që mungon vizioni, mungon një ide e qartë se ku është pika e arritjes ka konfuzitet në Evropë, do të bashkohemi, a s’do bashkohemi. Pra janë një sërë faktorësh që janë bashkuar për ta krijuar këtë problematikë. Një nga faktorët e tjerë është një krizë identitare që i ka ngërthyer shqiptarët në këto tre vendet që i përmendëm. Kriza identitare është e lidhur me të kaluarën e afërt, me ndryshimet e shpejta që kanë ndodhur, mungesën e një sistemi vlerash të kapshme, ndryshimet ideologjike që kanë ndodhur nga sistemi komunist në kapitalizëm të egër, që nuk është mirëfilltazi kapitalizëm, por është tranzicion i gjatë; ka gjithashtu edhe një konfuzitet edhe në aspektin e vlerave, por edhe konfuzitet për sa i përket vizionit për të ardhmen.

Zëri i Ameirkës: Asnjë nga këto probleme nuk duket se mund të gjejë zgjidhje të shpejtë; as aderimi në BE, as zgjidhja e problemeve identitare, as tranzicioni. Sa mund të evolojë problemi i ISIS nëse vazhdon kjo situatë amullie në këto vende?

Adrian Shtuni: Problemet sistemore nuk janë të thjeshta për t’u ndryshuar, as cilësia e edukimit, as gjendja e ekonomisë, as hyrja në BE nuk mund të vendosen në mënyrë të njëanshme dhe kërkojnë kohë. Organizatat që radikalizojnë e kërkojnë këtë lloj mjegulle dhe pikërisht në këto situata të definuara nga krizat ato gjejnë një ambjent ku mund të operojnë dhe ku kanë sukses. Mënyra se si mundemi t’i kundërvihemi këtij fenomeni është duke rritur imunitetin; shoqëria vetë duhet ta gjejë dhe duhet ta ndërtojë për t’u përballur me këto lloj sfidash. Nuk ka për të ardhur një lloj zgjidhjeje në paketë dhe t’u jepet shqiptarëve, qoftë kujdo tjetër që është duke u përballur me këtë fenomen. Duhet që vetë shoqëria të jetë aktive dhe ta shikojë që ka edhe fonde dhe investime nga vetë komunitetet, nga vetë organizatat lokale për t’u përballur me këtë problem. Dhe jo të ketë aktivitet vetëm kur ka fonde nga jashtë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG