Lidhje

SHBA: Ende ansnjë marrëveshje për rihapjen e qeverisë


Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump dhe ligjvënësit demokratë nuk arritën marrëveshje për të rihapur qeverinë, e cila është pjesërisht e mbyllur që nga 22 dhjetori. Zoti Trump vazhdon të kërkojë 5 miliardë dollarë për të ndërtuar një mur në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Agjentët kufitarë përdorën gaz lotsjellës ndaj imigrantëve që përpiqeshin të kalonin kufirin SHBA- Meksikë në Tijuana të martën, ndërsa në Uashington, Presidenti Donald Trump vazhdon të kërkojë 5 miliardë dollarë për të ndërtuar një mur në kufi.

Ai hodhi poshtë një kompromis prapa skenave të ofruar nga nënpresidenti, Mike Pence për gjysmën e asaj shume.

"Jo, jo 2.5. Jo. Ne kërkojmë 5.6. Dikush tha 2.5. Jo, po flasim për siguri kombëtare këtu”, tha zoti Trump.

Ai u takua me ligjvënës demokratë dhe republikanë me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë, në një sallë të sigurt që zakonisht përdoret për të diskutuar operacionet ushtarake dhe çështje të tjera delikate të sigurisë kombëtare. Bisedimet nuk arritën të sjellin një konsensus.

Presidenti Trump ka ftuar ligjvënësit të takohen përsëri të premten pasi Kongresi të zgjedhë udhëheqësit e rinj. Nancy Pelosi pritet të jetë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

"Pyetja jonë për presidentin dhe republikanët është: Pse nuk e pranoni atë që keni bërë për të hapur qeverinë dhe që të na japë mundësinë të kemi në dispozicion 30 ditë për të negociuar për sigurinë e kufijve?”, tha ajo.

Demokratët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve marrin sot kontrollin dhe do të miratojnë një ligj për të financuar të gjitha agjencitë e mbyllura qeveritare deri në shtator, me një legjislacion të veçantë për të financuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare që mbikqyr sigurinë e kufirit, deri në shkurt.

Edhe nëse ligji miratohet nga Senati që kontrollohet nga Republikanët, Presidenti Trump mund t’i vërë veton.

"Aq kohë sa të duhet. Unë jam i përgatitur. Mendoj se amerikanët mendojnë se unë kam të drejtë”, tha ai.

Mbyllja e qeverisë që është në fund të javës së dytë, do të thotë që 800 mijë punonjës qeveritarë do të vazhdojnë të mos punojnë ose të punojnë pa rrogë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG