Lidhje

Si do të reagojë ushtria egjiptiane ndaj demonstruesve


Si do të reagojë ushtria egjiptiane ndaj demonstruesve
Si do të reagojë ushtria egjiptiane ndaj demonstruesve

Lidhja e ngushtë mes ushtrisë amerikane dhe asaj egjiptiane mund të jetë e rëndësishme për të përcaktuar përfundimin e trazirave të tanishme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin njofton nga Pentagoni mbi rolin delikat por shumë të rëndësishëm që mund të luajë kjo marrëdhënie e gjatë.

Kur demonstratat filluan javën e kaluar në Egjipt, oficeri i dytë më i lartë i ushtrisë egjiptiane ndodhej në Uashington për një javë takime me oficerë të lartë amerikanë. Leitnant gjenerali Sami Anan e ndërpreu vizitën e tij dhe u kthye në Egjipt të premten. Por jo shumë kohë pasi arriti në Egjipt, zoti Anan mori një telefonatë nga oficeri më i lartë ushtarak amerikan, Admirali Michael Mullen, i cili, sipas një zëdhënësi, kishte shprehur “vlerësimin e tij për profesionalizmin e vazhdueshëm të ushtrisë egjiptiane.” Zëdhënësi thotë se dy oficerët riafirmuan dëshirën për vazhdimin e partneritetit mes Shteteve të Bashkuar dhe Egjiptit dhe premtuan se do të mbeteshin në kontakt.

Kjo mund të duket si lajm i zakonshëm, por po të vihet në kontekstin e demonstratave kundër qeverisë egjiptiane dhe praninë e ushtrisë në rrugët e vendit, analistët thonë se kjo ishte provë e një kanali të rëndësishëm komunikimi mesa Shteteve të Bashkuara dhe Egjiptit. Ky lloj komunikimi është shumë i njohur për Leitnant Gjeneralin e ushtrisë James Dubik, i cili është tani në pension dhe punon si ekspert në Institutin për Studimin e Luftës në Uashington.

“Marrëdhëniet janë shpesh të rëndësishme në diskutimet dhe negociatat mes vendeve, ku marrëdhëniet zyrtare mund të mos ndihmojnë gjithmonë.”

Gjenerali Dubik nuk është marrë shumë me oficerët egjiptianë gjatë karrierës së tij ushtarake, por ai ishte komandant i lartë i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës në Ushtrinë Amerikane dhe më vonë shkoi në Bagdat për të udhëhequr përpjekjet amerikane për stërvitjen e ushtrisë së re irakiane. Ai thotë se stërvitja është e rëndësishme për gjëra si aftësitë e luftës dhe taktikat. Por ai thotë se kontaktet jozyrtare, në ambjente t[ tjera dhe në dreka dhe darka, ofrojnë një lloj tjetër stërvitjeje.

“Përqendrohet tek fakti që ushtria është nën kontrollin civil. Diskutohen edhe përgjegjësitë e ushtrisë për mbrojtjen e qytetarëve të një vendi.”

Ushtarëve egjiptianë mund t’u duhet të zgjedhin mes këtyre dy koncepteve gjatë ditëve të ardhshme, nëse qeveria fillon të shtypë demonstruesit.

“Këto lloj vendimesh janë shumë të vështira. Nuk është pozitë e mirë, dhe është një pozitë që nuk ke përgjigje për të deri sa të përballesh me një situatë të tillë.”

Kjo është dilemë e njohur, me të cilën përballen trupat në shumë vende gjatë viteve dhe rezultatet kane qenë të ndryshme. Mes tyre, revolucioni në Filipine në vitin 1986, ku trupat nuk hapën zjarr ndaj njerëzve, dhe shtypja e lëvizjes demokratike në Sheshin Tiananmen në Kinë në vitin 1989, ku trupat hapën zjarr.

Në situatën e tanishme, komentuesi politik egjiptian në Uashington Tawfik Hamid në Institutin Potomac thotë se nëse ushtarët egjiptianë përballen me këtë dilemë ata do të zgjedhin të mos hapin zjarr kundër njerëzve por të sfidojnë udhëheqësin e tyre, presidentin Hosni Mobarak.

“Nuk mendoj se do t’i kthejnë armët nga populli egjiptian. Mendoj se do të jetë më e lehtë të heqin Mubarakun si individ dhe të duken si heronj që e kanë rrëzura atë. Vrasja e dhjetëra mijëra njerëzve do të ishte një ferr i vërtetë po të ndodhte.”

Hamid është fizikan që ka qenë dy vjet në ushtri kur ishte i ri dhe më vonë është kthyer në militant islamik për ca kohë. Ai thotë se egjiptianëve nuk u pëlqejnë forcat e tyre policore sepse ata i trajtojnë shumë rreptë çështjet lokale. Por ai thotë se njerëzit e repektojnë ushtrinë, e cila zakonisht nuk merret me egjiptianët direkt, dhe shihet si mbrojtësja e tyre nga kërcënimet e jashtme.

Dr. Hamid thotë se udhëheqësit amerikanë nuk duhet të shqetësohen për ndryshimin e udhëheqjes në Egjipt. Ai thotë se ka shumë zyrtarë civilë dhe oficerë amerikanë që do të ishin të pranueshpm për demonstruesit dhe që do të mbështesnin politikat amerikane në Lindjen e Mesme. Por ai thotë se populli egjiptian do ta pranojë këtë vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të shihen si ndihmës në rrëzimin e Mubarakut, në vend që ta ndihmojnë atë.

“Ushtria gjithmonë do ta dijë drejtimin e Uashingtonit. Ata e dinë se nuk mund të bëjnë gjë pa marrë ndonjë dritë të gjelbër. Nëse Shtetet e Bashkuara u dërgojnë atyre një mesazh përkrahjeje dhe se do ta mbështesin vendin nën kontrollin e tyre dhe të largojnë Hosni Mubarakun, kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e shpejtë të problemit.”

Megjithëse sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton ka bërë thirrje për një tranzicion të qetë në Egjipt, ajo dhe zyrtarë të tjerë nuk e kanë kërkuar largimin e zotit Mubarak. Nuk ka ndonjë tregues që zyrtarët amerikanë të mbrojtjes ta kenë bërë këtë. Përveç telefonatës mes Admiralit Mullen dhe gjeneralit Anan, sekretari i mbrojtjes Robert Gates i telefonoi homologut të tij egjiptian gjatë fundjavës.

Zyrtarët thonë se theksi gjatë bisedave private ka qenë tek përsëritja e thirrjeve publike për vetpërmbajtje, dhe se pavarësisht nga marrëdhëniet e ngushta dhe ndikimi i madh amerikan, rezultati i demonstratave dhe e ardhmja e e Egjiptit duhet të vendoset nga egjiptianët.

XS
SM
MD
LG