Lidhje

Siguria Kombëtare e Shteteve të Bashkuara


Bërja publike kohët e fundit se si Agjencia e Sigurimit Kombëtar mbledh informacione për programin e saj super-sekret të përgjimeve mund t’i detyrojë agjencitë amerikane të zbulimit të rishqyrtojnë proceset e tyre të grumbullimit të të dhënave dhe të individëve që kanë qasje tek to. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Pam Dockings sjell hollësi:

Steven Bucci, drejtor për politikën e jashtme në organizatën Heritage Foundation, thotë se sa herë që ka një rrjedhje të informacioneve sekrete të zbulimit, kjo nxit rishqyrtimin e procesit të grumbullimit të informacioneve.

Në një intervistë për programin Encounter të Zërit të Amerikës, eksperti thotë se kjo do të ndodhë edhe tani, pas publikimit të programit nga ish-punonjësi i Agjencisë amerikane të Sigurimit Kombëtar, Edward Snowden.

“Ky nuk është një proces drakonian, gjatë të cilit ne kërkojmë të ndëshkojmë fajtorët. Më tepër është një process burokratik, sipas të cilit duhen zbatuar rregullat dhe të shihet se kush është përgjegjës.”

Synimi, thotë ai, është që të zbulohet se çfarë shkoi keq dhe të parandalojmë që kjo të ndodhë përsëri.

“Është përgjigja e përshtatshme për një organizatë të madhe, që të përpiqet të zbulojë se si mund ta parandalojë gabimin, para se ai të përsëritet.”

Zyrtarët të zbulimit dhe disa anëtarë të Kongresit, thonë se Edward Snowden e rrezikoi Amerikën kur i dha informacione për programet e grumbullimit të të dhënave sekrete gazetave The Washington Post dhe The Guardian.

Në atë kohë, Snowden punonte si ekspert i teknologjisë për kompaninë
Booz Allen Hamilton, një firmë private, kontraktore e Agjencisë amerikane të Sigurimit Kombëtar.

Rudy de Leon është nënpresident i Qendrës amerikane për Progres dhe ish nën-sekretar i mbrojtjes. Ai thotë se veprimet e Snowden-it ka shumë mundësi t’i nxisin agjencitë dhe kontraktorët e qeverisë të rishikojnë qasjen që kanë punonjësit në programe të ndryshme.

“Unë jam i sigurtë se personat që i dhanë atij mundësinë të ketë qasje tek programet tani janë duke u përpjekur të zbulojnë me saktësi se çfarë ishte gabim”.

Zoti De Leon thotë se Shtetet e Bashkuara zbatojnë kontrollin dhe balancën për t’u siguruar që programet e survejimit të planifikuara për kapjen e terroristëve nuk shkelin të drejtat e privacisë së amerikanëve të thjeshtë. Ai thotë se hetuesit do të duan të dinë se çfarë e shtyu Snowden-in të veprojë kështu.

Bërja publike e informacioneve lidhur me grumbullimin e të dhënave të telefonatave dhe të internetit, në kuadrin e përpjekjeve të qeverisë për të parandaluar terrorizimin, bëri që të mbaheshin seanca dëgjimore në Kongres. Ligjvenësi Dutch Ruppersberger bëri thirrje për ndryshime në qasjen që kanë punonjësit tek informacionet sekrete.

“Kemi nevojë t’i ndryshojmë sistemet dhe praktikat dhe të zabtojmë teknologjinë më të fundit, që do t’i njoftonte shefat kur një punonjës përpiqet të shkarkojë dhe tërheqë këtë lloj informacioni. Ne duhet ta mbyllim këtë çarje që ekzsiton në sistem.”

Zoti De Leon thotë se kur është fjala për rolin e qeverisë në balancimin e nevojës për të mbrojtur qytetarët me nevojën për të respektuar të drejtat dhe privacinë e tyre, kjo nuk është diçka e përcaktuar. Ai thotë se amerikanët presin që qeveria të gjejë mënyra për balancimin e këtyre përparësive të rëndësishme.

Zoti Bucci i Fondacionit Heritage thotë se ai druhet për reagimin e ashpër të publikut lidhur me grumbullimin e të dhënave të zbulimit, gjë që do t’i detyrojë agjencitë amerikane të survejimit të kufizohen, një veprim që mund t’i dobësojë Shtetet e Bashkuara në afat të gjatë.
XS
SM
MD
LG