Lidhje

Mesazhi i një grupi mediatik merr përhapje virale


Sinclair, një grup mediatik amerikan urdhëroi prezantuesit e lajmeve të lexonin në transmetim një deklaratë ku shprehej shqetësim për “prirjen e rrezikshme të lajmeve të njëanshme, të papërgjegjshme që po shfaqet në vend” dhe ku akuzoheshin rrjetet e tjera mediatike se po avanconin axhendën e tyre subjetike. “Deadspin”, një faqe interneti që raporton mbi sportin, përgatiti një montazh të prezantuesve televizivë nga stacione të ndryshme të këtij grupi me të njëjtën deklaratë. Montazhi është kthyer në një video virale.

Montazhi i realizuar nga Deadspin është parë nga milliona vetë. Në të shihen dhjetëra prezantues lajmesh duke lexuar të njëjtin tekst, ku ngrihet shqetësim për “lajmet e rreme dhe subjektivitetin e disa gazetarëve që raportojnë”.

Presidenti Trump postoi një koment në Twitter ku mbron grupin mediatik Sinclair Broadcasting, pasi rrjetet CNN dhe MSNBC njoftuan mbi këtë urdhër të dhënë nga drejtuesit e korporatës.

Nënpresidenti i grupit Sinclair reagoi, duke thënë “sa ironike që ne sulmohemi për nismën tonë gazetareske në mbështetje të raportimit të drejtë dhe objektiv dhe që i bëjmë thirrje publikut të mbajë përgjegjës redaksitë e lajmeve”.

“Deklaratat që lexuan prezantuesit nuk kanë ndonjë domethënie të madhe. Pak a shumë ata thanë “nuk na pëlqejnë lajmet e rreme as ne, as juve. Të mos transmetojmë me lajme të rreme”. Jo ndonjë gjë e madhe. Por problemi qëndron në faktin se kur prezantuesit e lajmeve lexojnë komente të tilla që ua kanë dhënë me urdhër drejtuesit e korporatës, kemi të bëjmë me koment dhe jo me lajme. Këtu fillon të zhduket vija ndarëse mes këtyre koncepteve. Çfarë po dëgjoj nga këto prezantues: lajme, apo komente opinioniste?,” thotë Al Tompkins i Institutit “Poynter”.

Edhe më shqetësuese bëhet kjo nismë e grupit Sinclair Broadcasting, kur mësohet se kjo korporatë ka në plan të blejë stacione të tjera, duke rritur influencën në vend. Marrëveshja me vlerë 3.9 miliardë dollarë është në pritje të miratimit nga Komisioni Federal i Komunikimeve dhe Departamenti i Drejtësisë:

“Hapësirat në ligjin ekzistues i japin mundësi grupit Sinclair të blejë stacione të tjera. Ky grup po përpiqet të blejë Tribune Broadcasting, një ndër kompanitë më të mëdha të transmetimeve në SHBA,” thotë profesori i juridikut, Andrew Schwartzman.

Si rezultat, thotë profesor Schwartzman, “Sinclair” që tani transmeton në 40% të tregut amerikan, mund të ketë nën kontroll 70% të stacioneve televizive në vend.

Aktualisht, grupi “Sinclair” zotëron dhe operon afro 200 stacione, por kjo shifër mund të arrijë në 233 stacione, nëse miratohet marrëveshja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG