Forcat siriane të sigurimit hapën sot zjarr kundër protestuesve në një fshat në jug të vendit, duke vrarë të paktën 2 veta, ndërsa refugjatët ikin në Turqi për t’i shpëtuar dhunës në gjithë vendin.
Aktivistët dhe dëshmitarët thanë se vrasjet ndodhën sot në fshatin Busra al-Harir në rajonin Daraa, ku rreth 1 mijë njerëz ishin grumbulluar për një protestë anti-qeveritare. Ata thanë se forcat e sigurimit hapën zjarr kundër protestuesve nga një makinë.
Por televizioni shtetror i Sirisë njoftoi se persona të armatosur hapën zjarr dhe vranë një anëtar të forcës së sigurisë, por nuk përmendi vdekjet mes civilëve.
Gjithashtu mediat shtetrore njoftuan se ushtria ka filluar operacionet për "rivendosjen e gjendjes së sigurisë" në qytetin verior Jisr al-Shughour afër kufirit me Turqinë. Njoftohet se shumica e banorëve të qytetit ikën këtë javë pasi zyrtarë qeveritarë u zotuan të shtypin protestat, pas një incidenti të hpënën, ku sipas autoriteteve siriane u vranë 120 forca të sigurisë.