Lidhje

Obama vendos të përgjigjet për sulmin kimik në Siri


Presidenti po diskuton me ekipin e sigurisë kombëtare për formën e përgjigjes

Shtepia e Bardhë thotë se Presidenti Barak Obama ka vendosur të ketë një përgjigje për përdorimin e mundshëm nga qeveria siriane të armëve kimike dhe po diskuton tani me ekipin e sigurisë kombëtare për të përcaktuar formën e përgjigjes.

Zëdhënësi Jay Carney tha se “nuk ka dyshim”, se në sulmin e 21 gushtit në një lagje të Damaskut është përdorur gaz helmues.

Gjatë konferencës së shtypit të martën, zëdhënësi Carney tha se ka shumë pak dyshim që sulmi kimik nuk është kryer nga regjimi sirian. Sulmi, tha ai, përbën “shkelje flagrante” të ligjve ndërkombëtare.

Zoti Carney po ashtu shtoi se pas disa ditësh Shtetet e Bashkuara do të botojnë të dhëna për sulmin me gaz helmues.
Forcat ushtarake amerikane
Forcat ushtarake amerikane


Qeveria e Sirisë mohon të ketë përdorur armë kimike dhe fajëson kryengritësit për përdorimin e armëve kimike si pasojë e të cilave gjetën vdekjen qindra civilë javën e kaluar.

Më parë sot, sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se forcat amerikane janë të gatshme të veprojnë në se Presidenti Obama jep urdhër për ndërhyrje ndaj regjimit të Sirisë për shkak të akuzave për përdorim armësh kimike.

Në një intervistë për BBC-në, Sekretari Hagel tha se ushtria i ka marrë masat dhe është në gjendje të “plotësojë dhe realizojë” çdo alternativë për të cilën vendos presidenti.

Njoftimet e agjencive të lajmeve venë në dukje se Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera perëndimore po shqyrtojnë mundësinë e një ndërhyrje të kufizuar me objektiv të qartë për të ndëshkuar presidentin sirian Basshar al-Assad, forcat e të cilit dyshoshet të kenë përdorur armë kimike.

Një ekip i OKB-së ndodhet aktualisht në Siri për të hetuar dyshimet rreth përdorimit të armëve kimike, por të martën misioni u shty për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë në zonën ku duhet të kryhej hetimi.

Stephen Zunes, profesor i studimeve për Lindjen e Mesme në Universitetin e San Francisco-s, thotë se ndërsa po shtohet trysnia ndaj Shteteve të Bashkuara për të ndërmarrë veprime ushtarake, goditjet ushtarake nuk mund të arrijnë gjithshka.
XS
SM
MD
LG