Lidhje

Vëzhguesit e OKB-së mbërritën në al-Haffeh të Sirisë


Dhuna vazhdoi sot; Reuters: Forcat siriane qëlluan me artileri të rëndë mbi qytetin Deri el-Zourit, duke vrarë 11 persona e duke plagosur rreth 200 të tjerë

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara mbërritën në qytetin al-Haffeh të Sirisë pasi forcat qeveritare sulmuan pozicionet e opozitës, ndërsa i dërguari i Sirisë në Moskë mohuan se Rusia po furnizon Sirinë me helikopter luftarak.

Vëzhguesit e OKB-së janë përpjekur të hynë në qytet pas përleshjeve intensive disa ditore. Ata gjetën qytetin me myslimanë suni pothuajse të boshatisur me ndërtesat qeveritare të djegura, dyqanet e abandonuara dhe kufoma të shtrira në rrugë.

Autoritetet siriane dje thanë se kishin “pastruar” zonën nga grupet e armatosura terroriste. Të martën, një bandë në rrethinat e qytetit kishte sulmuar makinat e vëzhguesve të OKB-së me gurë dhe shkopinj hekuri, duke i detyruar të ktheheshin.

Rebelët anti-qeveritarë u tërhoqën nga qyteti këtë javë dhe iu bashkuan Shteteve të Bashkuara në paralajmërimin se disa nga njerëzit e mbetur në al-Haffeh mund të jenë objekt i vrasjeve hakëmarrëse.

Dhuna vazhdoi sot në Siri. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se forcat siriane qëlluan me artileri të rëndë mbi qytetin lindor të Deri el-Zourit, duke vrarë të paktën 11 persona dhe duke plagosur rreth 200 të tjerë.

XS
SM
MD
LG