Lidhje

Ushtria siriane rimerr një tjetër qytet


Forcat siriane njoftuan se kanë rimarrë sot një tjetër qytet prej Shtetit Islamik. Qyteti Qaryatain, i ndodhur në pjesën qendrore të vendit, u morr një javë pas marrjes së qytetit historik, Palmyra.

Mediat shtetërore siriane thanë se marrja e qytetit Qaryatain, me mbështetjen e sulmeve ajrore ruse, i jep qeverisë një tjetër fitore strategjike, duke siguruar edhe linjat strategjike të furnizimit me karburant dhe gaz ndërmjet Damaskut dhe fushave naftëmbajtëse të Sirisë lindore.

Por, sipas Obzervatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, pretendimet e qeverisë siriane janë të parakohshme, ndërkohë që konfirmoi se njësitë e Shtetit Islamik ndodhen pranë rrënimit. Sipas Obzervatorit, xhihadistët vazhdojnë të kontrollojnë pjesët lindore dhe juglindore të qytetit Qaryatain, ndërkohë që disa prej tyre kanë filluar tërheqjen drejt rajoneve malore.

Qyteti Qaryatain ishte dikur qendër e një popullsie të konsiderueshme të krishtere, por dhjetëra prej tyre u rrëmbyen prej ekstremistëve. Disa u liruan më vonë, por shumë të tjerë u detyruan të premtojnë se do të paguajnë një taksë të imponuar ndaj jo-myslimanëve.

XS
SM
MD
LG