Lidhje

Damasku thotë se trupat e tij nuk kanë lidhje me 92 vrasjet në Houla


Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme i cilësoi akuzat kundër qeverisë siriane “një cunam me gënjeshtra”

Qeveria siriane ka hedhur poshtë pretendimet se ushtarët e saj kanë masakruar të paktën 92 vetë, rreth një e treta e të cilëve fëmijë, gjatë sulmeve të premten në qytetin Houla.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme i cilësoi akuzat kundër qeverisë siriane “një cunam me gënjeshtra”. Ai fajësoi “terroristët e armatosur”, të cilët sipas tij kanë sulmuar ushtarët.

Vëzhguesit e OKB-së thonë se artileria dhe tanket u përdorën për të sulmuar qytetin Houla në veri-perëndim të qytetit Homs. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme siriane tha se ushtarët sirianë u kundërpërgjigjën për të mbrojtur pozicionet e tyre, por përgënjeshtroi njoftimet se ata kishin përdorur artilerinë dhe tanket.

Masakra e Houlas shënon sulmin më të përgjakshëm që kur filloi kryengritja anti-qeveritare afro 15 muaj më parë.

Aktivistët sirianë thonë se mbi 90 vetë, përfshirë shumë fëmijë, u vranë të premten gjatë një sulmi të bashkërenduar të forcave qeveritare dhe milicisë në një fshat pranë qytetit qendror, Homs.

Damasku nuk e mohoi masakrën, por fajësoi “terroristë”, pa i identifikuar për incidentet më të rënda vdekjeprurëse që nga fillimi i kryengritjes kundër Presidentit Bashar al-Asad 15 muaj më parë.

Një ekip vëzhguesish të Kombeve të Bashkuara, i kryesuar nga gjeneral Robert Mud, mbëriti në fshat dje për të hetuar vrasjet. Gjenerali dënoi këtë “tragjedi brutale”, siç u shpreh ai, dhe tha se vëzhguesit numëruan më shumë se 32 fëmijë nën moshën 10 vjeçare dhe mbi 60 të rritur të vrarë.

Një video amatore paraqiti familjet duke varrosur të vrarët e kësaj masakre. Dëshmitarët thonë se vrasjet filluan kur forcat qeveritare bombarduan fshatin pas lutjeve të së premtes. Ata thanë se disa nga viktimat u vranë gjatë bombardimeve, ndërsa të tjerë u qëlluan nga milicët pro qeverisë, të njohuri si “shabiha”.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun dhe i dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe në Siri, Kofi Anan, e dënuan dhunën.
XS
SM
MD
LG