Lidhje

Kush janë kryengritësit sirianë?


Ndërkohë që vazhdon diplomacia ndërkombëtare për krizën në Siri, vazhdon edhe beteja në vend mes fraksioneve kryengritësve dhe qeverisë së Presidentit Assad. Kryengritësit janë një masë heterogjene dhe e ndarë në fraksione të ndryshme me axhenda të ndryshme.

Luftëtarët e Jabhat al-Nusras janë betuar për besnikëri ndaj al-Kaidës. Ata janë ndër më të stërviturit dhe më të armatosurit në Siri. Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si terroristë. Shumë prej tyre kanë luftuar kundër amerikanëve në Irakun fqinj.
Një prej komandantëve përdor pseudonimin Sheikh Abu Ahmed:

"Njerëz si unë dikur luteshin në xhami pesë herë në ditë. Para revolucionit, regjimi sirian e konsideronte këtë si krim. Si rezultat, ne arrestoheshim, ndaloheshim dhe torturoheshim nga agjenci të regjimit. Prandaj e kundërshtojmë me gjithë zemrën këtë regjim”.

Luftëtarët xhihadistë si këta anëtarë të al-Nustras janë ndër arsyet përse ngurojnë Shtetet e Bashkuara të dërgojnë armë në Siri. Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel shprehet:

"Eshtë një situatë jo-perfekte. Nuk ka alternativa të mira. Ky është një realitet i ndërlikuar dhe i paqartë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se deri në 100 mijë kryengritës sirianë po luftojnë për të rrëzuar qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad. Nga 15 deri në 25 për qind e tyre kanë lidhje me al-Kaidën.

Por zyrtarët amerikanë thonë se elementi i moderuar përbën numrin më të madh të opozitës siriane. Presidenti Obama shprehet:

"Shumica e popullit sirian dhe opozita me të cilën bashkëpunojmë, duan paqe me dinjitet dhe liri”.

Shumë kryengritës që luftojnë nën flamurin e Ushtrisë Siria e Lirë kanë dezertuar nga ushtria siriane. Një komandant shprehet:

"Para se të dezertoja isha toger-major. Pasi pashë tiranitë e bandave të Asadit, doja të mbroja vendin deri në pikën e fundit të gjakut, me ndihmë të Zotit”.

Përdorimi i armëve kimike në konflikt duket se tejkalon shqetësimin amerikan për ekstremistët. Kjo është arsyeja kryesore që Presidenti Obama propozoi goditjen ushtarake:

"Eshtë e vërtetë se disa kundërshtarë të Assadit janë ekstremistë. Por al-Kaida do të forcohej edhe më shumë në një Siri kaotike nëse populli e sheh që bota nuk po bën asgjë për të parandaluar vrasjen e civilëve me gaz helmues”.

Disa grupe xhihadiste si Ahrar al-Sham kanë kryer sulme spektakolare me makina-bombë.

Por analistët thonë se pjesa më e madhe e sirianëve nuk kanë dëshirë të jetojnë në një vend të sunduar nga ligji islamik. Ish-zyrtari i CIA-s Reuel Marc Gerecht thotë se nuk ka gjasa që kërcënimi xhihadist të bëhet realitet:

"Dyshoj që organizata të vogla xhihadiste me 10-20 mijë anëtarë do të mjaftojnë për të dominuar në Sirinë pas-Assadit”.

Prandaj, ndërkohë që diplomatët diskutojnë si të veprojnë në lidhje me armët kimike siriane, lufta vdekjeprurëse dhe e ndërlikuar në Siri vazhdon.
XS
SM
MD
LG