Lidhje

Bisedime mes grupeve opozitare siriane


Opozita e përçarë e Sirisë ka filluar sot bisedime në kryeqytetin e Katarit, Doha, me synimin e krijimit të një fronti unik për të fituar njohjen ndërkombëtare dhe fuqizimin e përpjekjeve për largimin nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad.

Katër ditët e para të takimeve pritet të përqëndrohen në tranformimin e Këshillit Kombëtar sirian, që është grupimi më i madh i opozitës jashtë vendit, në një qeveri gjithëpërfshirëse në mërgim. Udhëheqësit e Këshillit thanë se grupi pritet të zgjerohet nga 200, në 400 vetë. Një takim i veçantë dhe më i gjerë i lëvizjes së opozitës pritet të mbahet në Doha të enjten.

Takimi synon formimin e një koalicioni të bashkuar, që përfshn forcat rebele dhe forca të tjera që veprojnë brenda Sirisë. Riad Saif, një figurë me ndikim i opozitës siriane, ka propozuar krijimin e një strukture, ku të përfshihen Ushtria Siria e Lirë e rebelëve, këshillat ushtarake rajonale dhe njësi të tjera kryengritëse, krahas me organizata të tjera lokale civile, si dhe disa figura të njohura të opozitës.

Një diplomat perëndimor tha se nisma e zoti Seif ka mbështetjen e SHBA, Britanisë, Francës dhe ndoshta edhe të disa vendeve arabe, Katarit dhe Turqisë.
XS
SM
MD
LG